Maqedoni

Efektet “Post Orban” në RMV, LSDM akuzon VMRO-në për përdorim të agjencive të huaja

18.04.2026 14:29

LSDM akuzon pushtetin për përdorimin e agjencive të huaja private për fabrikim aferash dhe diskreditim të opozitë...

LSDM akuzon pushtetin për përdorimin e agjencive të huaja private për fabrikim aferash dhe diskreditim të opozitës, duke pretenduar se “Black Cube” është angazhuar për ndjekje dhe mbledhje informacioni ndaj funksionarëve të saj, përfshirë edhe kryetarin e saj Venko Filipçe. Ata thonë se kompania ka qenë e lidhur edhe me aktivitete në Hungari dhe Slloveni për qëllime politike.
 
“Orban që në vitin 2018 i solli ‘Black Cube’ në Hungari dhe i përdori për operacione të pista kundër kundërshtarëve politikë. Në zgjedhjet e fundit në Hungari, kjo kompani duhej të publikonte incizime provokuese kundër Peter Maxhar, ndërsa njëkohësisht punonte në një aferë zgjedhore në Slloveni për Janez Jansha. Tani e njëjta taktikë po zbatohet edhe në Maqedoni. Hristijan Mickoski dhe VMRO-OKG po përpiqen të fabrikojnë afera kundër LSDM-së përmes agjencive private të huaja të inteligjencës. “Black Cube” është një kompani private izraelite e njohur e inteligjencës, shpesh e quajtur “Mossad privat”.”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
 
VMRO-DPMNE: LSDM merret me rrëfime të huaja politike 
 
Nga ana tjetër edhe VMRO-DPMNE drejtoi kritika të ashpra ndaj Lidhjes Socialdemokrate dhe liderit të saj Venko Filipçe që, siç thonë, në vend që të fokusohet në skenën e brendshme politike, merret me zhvillime politike në shtete të tjera, përfshirë zgjedhjet në Hungari.
 
“LSDM dhe Filipçe jetojnë në një botë gënjeshtrash, konstruksionesh dhe iluzioni politik. LSDM dhe Filipçe funksionojnë në një realitet të tyre, një botë paralele në të cilën humbjet i paraqesin si fitore, ndërsa faktet i zëvendësojnë me konstrukte. LSDM dhe Filipçe festojnë fitoren e zgjedhjeve në një shtet tjetër të partisë simotër të VMRO-DPMNE-së, ndërkohë që partia e tyre simotër ka marrë vetëm rreth 1% të votave. LSDM dhe Filipçe ende nuk distancohen dhe nuk shkëputen nga Zoran Zaev dhe politikat e tij antishtetërore, por përkundrazi, njerëz të tij vazhdojnë t’i udhëheqin PR-in e Filipçes. LSDM dhe Filipçe nuk e kuptuan mesazhin e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, kur fituan vetëm 18 deputetë, më pak në historinë e tyre.”, u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
Sipas tyre, askush përveç Filipçes nuk po zhvillon fushatë të zezë kundër LSDM-së, duke shtuar se po përhapet panik për gjëra që nuk ekzistojnë, siç është edhe çështja e migrantëve.
 
ARMEND MURSELI