Ekonomi

Ekonomi, Sali prezanton mundësitë për investime në RMV

18.04.2026 14:56

Sali tha në Düsseldorf se Gjermania mbetet partneri më i madh tregtar dhe një nga investitorët kryesorë në vend....

Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë dhe njëherit Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, tha në Düsseldorf se Gjermania mbetet partneri më i madh tregtar dhe një nga investitorët kryesorë në vend. Sipas tij, mbi 150 kompani gjermane tashmë operojnë në Maqedoninë e Veriut, duke punësuar më shumë se 22 mijë qytetarë dhe duke dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike të vendit. Sali, në panel-diskutimin e kushtuar “Mundësive të investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut”, theksoi se interesi i investitorëve gjermanë po vazhdon të rritet dhe njëherit shtoi se Qeveria është e përkushtuar në krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm, konkurrues dhe të parashikueshëm për biznesin, me qëllim tërheqjen e investimeve të reja të huaja.
 
“Sali theksoi rëndësinë e Gjermanisë si partneri më i madh tregtar dhe një ndër investitorët kryesorë në vend, duke nënvizuar se mbi 150 kompani gjermane operojnë në Maqedoninë e Veriut, duke punësuar mbi 22 mijë qytetarë dhe duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin ekonomik. Ai vuri në pah besimin e vazhdueshëm të investitorëve gjermanë, të reflektuar përmes rritjes së investimeve dhe riinvestimeve, si dhe përkushtimin e Qeverisë për krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm, konkurrues dhe të parashikueshëm për biznes. Po ashtu theksoi se avancimi i bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë shkon paralelisht me procesin e integrimit evropian të vendit, duke rikonfirmuar përkushtimin e plotë të Maqedonisë së Veriut ndaj reformave dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i Salit.  
 
BDI: Rënie prej 61% të investimeve të huaja
 
Por kështu nuk mendon BDI-ja. Akuza ndaj pushtetit për investimet e huaja janë adresuar nga kjo parti, e cila tha se kohëve të fundit ka një rënie prej 61 për qind të investimeve të huaja në vend, si pasojë e politikave ekonomike të qeverisjes së paaftë dhe anti - evropiane.
 
“Të dhënat e publikuara në analizat rajonale për Investimet e Huaja Direkte në Ballkan tregojnë një alarm serioz për Republikën e Maqedonisë së Veriut, rënie prej 61% të investimeve të huaja direkte në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024, me vlerë totale prej vetëm 468 milionë euro. Ky është një nga rezultatet më të dobëta në rajon dhe sinjal i rëndë për ekonominë e vendit. Investitori i huaj kërkon siguri juridike, institucione funksionale, stabilitet politik, administratë profesionale dhe perspektivë të qartë euroatlantike. Kur shteti prodhon pasiguri, tensione politike dhe mungesë drejtimi strategjik, kapitali zgjedh destinacione tjera. Ndërkohë që vendet e rajonit po garojnë për investime të reja, Maqedonia e Veriut po humb terren me ritëm alarmant.”, thuhet në komunikatën e BDI-së, e cila sipas tyre, kjo rënie prej 61% nënkupton më pak vende pune, më pak prodhim, më pak paga më të mira dhe më pak mundësi për të rinjtë thuhet mëtej në reagimin e BDI-së .
 
REXHEP QAMILI