Botë
Merr fund entuziazmi për hapjen e Hormuzit, Irani rikthen kontrollin e rreptë në ngushticë
18.04.2026 15:11
Pas lajmit të shumëpritur për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimin e lirisë së lundrimit...

Pas lajmit të shumëpritur për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimin e lirisë së lundrimit, i njoftuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, reagimet ndërkombëtare ishin pozitive, me shpresa për stabilizim ekonomik global. Megjithatë, ky entuziazëm nuk zgjati shumë, pasi Irani njoftoi rikthimin e kontrolleve të rrepta mbi këtë rrugë detare strategjike duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkelje të marrëveshjes.
“Për fat të keq, amerikanët, në përputhje me historinë e tyre të shkeljeve të përsëritura të marrëveshjeve, vazhdojnë aktet e piraterisë dhe grabitjes detare nën pretekstin e të ashtuquajturës bllokadë. Për këtë arsye, kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit është rikthyer në gjendjen e mëparshme dhe kjo ngushticë strategjike tani është nën menaxhim dhe kontroll të rreptë të forcave të armatosura.”, u shpreh Khatam al – Anbiya, zëdhënësi i shtabit qendror.
Trump: Bllokada e suksesshme, priten bisedime
Presidenti amerikan e ka cilësuar bllokadën si të suksesshme, duke thënë se ajo ka krijuar presion të fortë në negociata. Ai u shpreh optimist për ecurinë e bisedimeve dhe se shumë çështje janë afër marrëveshjes, ndërsa zhvillimet e ardhshme sipas tij, varen nga epilogu i negociatave.
“Siç e dini, kemi bllokadën. Bllokada ka qenë shumë e suksesshme dhe po aq të suksesshme kanë qenë edhe pesë javët para saj. Kombinimi ishte mjaft i fortë, do të thosha. Do ta dimë shumë shpejt. Po vazhdojmë bisedimet dhe pres që gjërat të shkojnë mirë. Shumë nga këto çështje janë negociuar në kohën e duhur.”, u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Tramp.
Armëpushimi dyjavor me Iranin skadon më 22 prill dhe, sipas Donald Trump, nëse deri atëherë nuk arrihet marrëveshje, SHBA do të rifillojë bombardimet. Lufta në Lindjen e Mesme ka rritur shqetësimet e aktorëve politikë botërorë, të cilët kanë zhvilluar një takim urgjent për situatën në Ngushticën e Hormuzit dhe stabilitetin e tregjeve globale.
“Duam të shohim rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe mendoj se për këtë punojmë të gjithë. Kjo është arsyeja pse jam këtu sot duke zhvilluar shumë diskutime. Po ashtu, kjo është arsyeja pse Mbretëria e Bashkuar dhe Franca organizuan takime me më shumë se 50 vende për të diskutuar lirinë e lundrimit dhe rëndësinë e kësaj ngushtice.”, u shpreh Yvette Cooper, sekretare e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas deklaratave të liderëve botëror, kjo ngushticë ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale, pasi përmes saj kalojnë furnizime thelbësore si nafta dhe plehrat bujqësore. Ata theksojnë se çdo kufizim në lëvizjen e anijeve ndikon zinxhirin e furnizimit dhe rrit pasiguritë ekonomike në shumë vende botës.
FARIJE DAUTI BAKIU
