Kulturë

“Kur Gonxhja Çeli” promovohet libri me poezi i M. Emurllahit

18.04.2026 15:34

“Kur Gonxhja Çeli” është libri i parë me poezi i autores së re Merita Emurllahi....

“Kur Gonxhja Çeli” është libri i parë me poezi i autores së re Merita Emurllahi. Poezitë e këtij libri janë shkruar në kohëra të ndryshme gjatë viteve të shkollës së mesme, por edhe gjatë studimeve, ku përmes vargjeve autorja shpalos ndjenja, mendime dhe përjetime rinore. Promovimi i librit u mbajt në një atmosferë të ngrohtë kulturore, në amfiteatrin e shkollës së mesme medicinale, në prani të nxënësve, profesorëve dhe dashamirësve të librit. Në hapje të aktivitetit foli redaktori i librit, i cili vlerësoi përmbajtjen dhe ndjeshmërinë poetike të autores së re.
 
“Unë do të doja që ju këtë libër ta lexoni, ta lexoni dhe të reflektoni mbi këtë libër ashtu siç është, pasi e njëjta gjë na duhet për rrugëtimin tonë të ardhshëm. Me këta krijues të rinj të shoqatës dhe të tjerë, unë besoj se do ta arrijmë qëllimin tonë.”, u shpreh Muhaxher Haruni.
 
Të pranishmit i përshëndeti edhe përfaqësuesi nga Komuna e Tetovës, nga sektori i Arsimit, Nazmi Dauti, i cili përgëzoi autoren dhe inkurajoi të rinjtë që të merren me krijimtari artistike.
 
“Është nder për Komunën e Tetovës të jemi pjesëmarrës në këtë promovim dhe ne gjithmonë do t’i përkrahim nxënësit dhe talentët e rinj si institucion, si themelues i shkollave.”, u shpreh Nazmi Dauti.
 
Autorja e librit Kur Gonxhja Çeli, Merita Emrullahi, ndau emocionet e saj për botimin e librit dhe falënderoi të gjithë kontribuuesit.
 
“Ka momente në jetë kur fjalët nuk mjaftojnë për ta përshkruar peshën e një emocioni. Sonte është njëra prej tyre. Jo rastësisht e zgjodha pikërisht këtë amfiteatër të shkollës sime të mesme për ta promovuar librin tim të parë. Nuk është thjesht një hapësirë – janë këto korridore, këto mure dhe kjo frymë shkollore ku hodha vargjet e para. Shumë nga këto shkrime që sot janë në libër kanë lindur këtu, mes bankave të një adoleshenteje.”, u shpreh Merita Emrullahi.
 
Promovimi u përmbyll me interpretime artistike, ndër to edhe performanca me flaut nga vetë autorja, e cila më herët ka marrë pjesë në gara komunale dhe shtetërore, duke u vlerësuar me çmime. Në fund, ajo ndau mirënjohje për të pranishmit.
 
VISAR SADIKI