Votuesit “shuplakë” ambicieve të Erdoganit, AKP fiton zgjedhjet, por jo edhe shumicën në parlament
Trembëdhjetë vitet e dominimit të Partisë për Drejtësi e Zhvillim me shumicë dërmuese në Parlamentin turk morën fund...

Rexhep Taip Erdogan gjendet përballë sfidës së formimit të një qeverie, pasi partia e tij në pushtet, AKP, humbi shumicën parlamentare.
AKP ka fituar vetëm 258 ulëse në parlament, nga 550 gjithsej. Për të qeverisur si parti e vetme, asaj do t’i duheshin 274 ulëse, e duket se tani ka nevojë për një partner koalicioni, pasi në të kundërt do të ketë një qeveri pakicë.
Kjo humbje tronditëse ishte një grusht i fortë për ambiciet e Erdoganit, që synonte të rishkruante Kushtetutën e Turqisë, për ta shndërruar këtë të fundit në demokraci presidenciale.
Analistët shprehen se një rezultat i tillë ishte i pritshëm, pasi Erdogan kohët e fundit e kishte neglizhuar qeverisjen, duke u fokusuar vetëm tek të ardhurat e tij personale. Humbjen e ka pranuar si një vendim gjithpopullor edhe kryeministri Davutogllu.
“Vendimi i popullit është diçka që duhet të respektohet. Edhe një herë ne themi se vullneti i popullit do të respektohet. Prej 13 vitesh nuk jemi përulur dhe nuk do të përulemi kurrë”- deklaroi kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutogllu.
Partia më e madhe në opozitë, Partia Republikane e Popullit (CHP), frymëzuesi i të cilës është Mustafa Kemal Ataturk, ka 25% të votave, por ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e një koalicioni qeverisës. Duket se partneri i ri i AKP-së mund të jetë Lëvizja Nacionaliste, që u rendit e dyta, me 16.5 % të votave, udhëheqësi i saj nuk e ka hedhur poshtë idenë për koalicion. Gjithsesi surpriza e këtyre zgjedhjeve është partia pro-kurde, e cila ka thyer edhe pritshmërinë e vetë aktivistëve të saj, pasi ka marrë afërsisht 12.8% të votave.
Por, Selahatin Demirtas e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e një hyrjeje në koalicion me AKP-në. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se me anë të votës së tyre në zgjedhjet e përgjithshme elektorale, populli turk dëshmoi se është kundra ndryshimit të kushtetues, çka do të forconte pushtetin në duart e presidentit.
Edhe pse ekonomia e lëkundur u përmend si një nga faktorët kryesor të humbjes pas një dekade të rritjes së paparë ekonomike të Turqisë, dëmin më të madh partisë së Erdoganit ia shkaktoi pikërisht suksesi i forcës politike pro-kurde.
HDP kishte tentuar t’i kapërcente kufijtë e rajonit kurd nëpërmjet një platforme gjithëpërfshirëse të pluralizmit dhe demokracisë, duke e vënë theksin tek të drejtat e punëtorëve, grave dhe homoseksualëve.
Mbështetja e gjerë për të anembanë vendit shihet si zhvillim i rëndësishëm simbolik pas tensioneve etnike prej disa dhjetëvjeçarësh.
Analistët i konsiderojnë këto zgjedhje si një epoke të re politike, bllokade për aspiratat e presidentit, i cili, sipas tyre, ka polarizuar vendin.
Në Lindjen e Mesme, Turqia është shumë e rëndësishme, po kaq rruga që do të ndërmarrë, natyra e demokracisë së saj dhe udhëheqësit që prodhon, secili prej këtyre elementeve ndikon përtej kufijve të saj. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
