Maqedoni

“Rrëzimi” i Orbanit një frenues më pak brenda BE-së, Selimi: Orban, financues i euroskepticizmit

18.04.2026 16:35

Largimi i Viktor Orbanit nga pushteti hungarez dhe me të edhe nga ndikimi i tij në politikat e Bashkimit Evropian..

Largimi i Viktor Orbanit nga pushteti hungarez dhe me të edhe nga ndikimi i tij në politikat e Bashkimit Evropian, mund të sjellë një lehtësim në politikat demokratike brenda Unionit, për arsye se Orbani njihet si personalitet që shpesh i është kundërvënë nismave evropiane, por edhe atyre që lidhen me zgjerimin, thotë analisti politik, Sefer Selimi. Shton se destruktiviteti i tij me raste ka demotivuar shtetet për t’iu bashkangjitur Bashkimit Evropian. Impakti i tij mund të vërehet edhe në politikën e mëtutjeshme të vendit tonë drejt kursit politik evropian, thotë më tepër, njohësi i çështjes.
 
“Në këtë rast është sponsori kryesor i qeverisë së Mickoskit dhe një nga mbështetësit kryesor në stagnimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Në këtë aspekt, rrënia nga pushteti i Orbanit mund të reflektojë në një dinamikë më pro-evropiane brenda Bashkimit Evropian në rast të parë, e pastaj edhe për vendet tjera në Ballkanin Perëndimor. Orbani gjithashtu është arkitekt, financues i një rrjeti ndikimi, qoftë mediatik, qoftë ekonomik në Ballkanin Perëndimor, që u jepte zë strukturave të cilat ishin me qëndrime euroskeptike por edhe të afërta me Rusinë dhe Kinën.”, u shpreh analisti politik, Sefer Selimi.
 
Tanimë që Orbani pas një kohe të gjatë nuk do të udhëheq me Hungarinë dhe s’do të jetë figurë politike brenda Bashkimit Evropian, kjo e fundit ka gjasë ta forcojë ndikimin gjeopolitik në fushën ndërkombëtare, ngaqë, Viktor Orbani ka ushqyer lidhje me politikanët rus e kinez, të cilat shpesh nuk kanë favorizuar politikat e familjes evropiane, shton Selimi, duke folur tani për një BE pa Orbanin. 
 
“Rënia e tij është një fitore e madhe për Bashkimin Evropian sepse në radhë të parë, po hiqet nga pozicioni, një person, i cili ka qenë vazhdimisht i kritikuar për minimin e shtetit e së drejtës, për korrupsion dhe për autoritarizëm për jetën politike dhe publike në Hungari. Orbani gjithashtu ka qenë njëri ndër bllokuesit kryesor të mjaft iniciativave evropiane… por edhe në përgjithësi ka shërbyer si “kalë troje” i politikave ruse dhe kineze në Bashkimin Evropian.”, u shpreh Selimi.
 
Viktor Orban vazhdimisht ka pasur mospajtime me institucionet dhe politikat e BE-së, dhe, si rrjedhojë, këto sjellje kanë kontribuar dukshëm në pozitën e tij ndër shtetet anëtare.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU