Botë

Pasiguri në transportin ajror, Evropa në rrezik për mungesë karburanti për avionë

18.04.2026 17:46

Evropa përgatitet për mundësi të ndërprerjeve në aviacion këtë vit për shkak të mungesës së karburantit për avionët....

Evropa përgatitet për mundësi të ndërprerjeve në aviacion këtë vit për shkak të mungesës së karburantit për avionët. Kompanitë ajrore evropiane paralajmërojnë se nëse furnizimi me karburant nuk stabilizohet urgjentisht, mund të ketë anulime masive të fluturimeve dhe ulje të avionëve apo aterim. Komisioni Evropian është duke përgatitur një plan ndërhyrjeje me përdorimin e rezervave të karburantit nëse vazhdon bllokada në Ngushticën e Hormuzit, e cila ka ndikuar në furnizimin me naftë drejt Evropës.
 
“Për momentin nuk ka mungesë të karburantit në Bashkimin Evropian, por jemi duke u përgatitur për një mungesë të mundshme të karburantit për avionë. 70 për qind e nevojave mbulohen nga rafineritë evropiane, ndërsa për pjesën tjetër varemi nga importi. Nëse situata në Ngushticën e Hormuzit vazhdon, BE do të jetë e gatshme të ndërmarrë një aksion të koordinuar për furnizimin me kerosin. Ekzistojnë rezerva të karburantit për avionë në BE dhe, nëse është e nevojshme, ato do të përdoren. Por për momentin tregu funksionon dhe nuk ka shenja për mungesa që do të shkaktonin anulime fluturimesh.”, u shpreh zëdhënësja e Komisioni Evropian, Maia Angelova.
 
Linjat ajrore tashmë kanë filluar të reagojnë duke hequr linja jofitimprurëse nga oraret e fluturimeve dhe duke vendosur tarifa për karburant dhe bagazh, gjë që ka rritur çmimet e biletave.
 
“Jemi në kontakt të ngushtë me të gjitha kompanitë ajrore dhe me shoqatën që nga fillimi i krizës energjetike. Lufthansa operon jo vetëm në Gjermani dhe Evropë, por edhe në nivel ndërkombëtar. Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, ka tërhequr vëmendjen se po përballemi me mungesë fizike në tregjet aziatike. Edhe ne në këtë grup e kemi diskutuar shpesh këtë çështje. Pra, nëse Lufthansa fluturon drejt Azisë dhe, për shembull, nuk mund të furnizohet me karburant atje, atëherë kemi një problem të qartë. Këtu në Gjermani, nuk kemi mungesë.”, u shpreh ministrja federale e ekonomisë së Gjermanisë, Katherina Reiche.
 
Ndërsa, autoritetet në Maqedoninë e Veriut thonë se aktualisht nuk ka probleme me aviacionin, pasi ka rezerva të mjaftueshme të kerosinës dhe furnizimi në aeroportet kryesore vazhdon normalisht.
 
FARIJE DAUTI BAKIU