Rajon
Bullgaria voton, zgjedhjet e teta me radhë brenda pesë vitesh
19.04.2026 14:14
Në Bullgari mbahen zgjedhjet e teta parlamentare në pesë vitet e fundit...

Në Bullgari mbahen zgjedhjet e teta parlamentare në pesë vitet e fundit, në përpjekje për t’i dhënë fund paqëndrueshmërisë së zgjatur politike. Në garë marrin pjesë 24 parti dhe koalicione. Sipas sondazheve, kryeson partia e re “Bullgaria Progresive” e ish-presidentit Rumen Radev. Ai ka premtuar se do t’i japë Bullgarisë një fillim të ri nëse koalicioni i tij i qendrës së majtë fiton zgjedhjet, duke vënë theksin te stabilizimi politik i vendit dhe ndryshimi i modelit qeverisës. Radev gjithashtu ka përmendur forcimin e marrëdhënieve me Rusinë, të bazuara në bashkëpunim pragmatik dhe interesa ekonomike e sigurie.
“Shpresoj që të zhvillojmë marrëdhënie praktike me Rusinë, të bazuara në respekt të ndërsjellë dhe trajtim të barabartë. Kjo është qasja jonë ndaj Rusisë. Duhet të respektojmë historinë tonë dhe rolin e Rusisë në çlirimin e Bullgarisë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe nuk do ta harrojmë kurrë, por marrëdhëniet e sotme duhet të bazohen në qasje praktike, sidomos në ekonomi dhe siguri. Besoj se do të ketë hapa të ardhshëm drejt vendosjes së marrëdhënieve midis Evropës dhe Rusisë mbi bazën e një marrëveshjeje sigurie. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për të ardhmen tonë.”, u shpreh lideri i “Bullgarisë Progresive”, Rumen Radev.
Në fushatën politike është përmendur edhe situata në Hungari dhe humbja e ndikimit të Viktor Orbanit, ndërsa ish-kryeministri dhe kundërshtari politik Bojko Borisov e ka cilësuar Rumen Radevin si “Orbanin e ri”. Ndërkohë, pas deklaratës së Radevit se nuk do të hyjë në koalicion me partinë e Borisovit, ky i fundit është përgjigjur se as partia e tij nuk do të marrë pjesë në koalicione dhe se një mundësi e tillë nuk ka qenë pjesë e asnjë bisede.
“GERB nuk do të marrë pjesë në koalicione. Kemi qenë shumë të qartë për këtë. Ata që deklarojnë se nuk do të bëjnë koalicion me GERB, nuk kanë pasur asnjë marrëveshje apo sinjal paraprak se diçka e tillë mund të ndodhë. Ne e kemi çuar vendin në eurozonë dhe kjo është një ankorë e fortë në këtë moment. Shpresoj që ajo të mos na lejojë të kthehemi nga Lindja.”, u shpreh Bojko Borisov nga “Qytetarët për zhvillimin Evropian të Bullgarisë”.
Sot zgjidhet përbërja e 52-të e Kuvendit Popullor. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00. Qytetarët kanë dalë të votojnë me shpresën për jetë më të mirë, pa krim dhe korrupsion.
“Ajo që më solli këtu është dëshira që gjërat në Bullgari të përmirësohen dhe të jetojmë më mirë.”, u shpreh një votues.
“Një jetë më e mirë për të rinjtë dhe për ne njëkohësisht, kjo është ajo që duam.”, u shpreh një votuese.
“Të ndalet korrupsioni në prokurimet publike.”, u shpreh një votues.
“Çfarë duhet të ndryshojë? Gjërat duhet të përmirësohen për njerëzit. Jeta duhet të jetë më e qetë. Nuk duhet të ketë vrasje.”, u shpreh një votuese.
Zgjedhjet zhvillohen pas pesë vitesh krizë pothuajse të vazhdueshme, gjatë së cilës asnjë qeveri nuk ka arritur ta përfundojë mandatin. Vendin e kanë udhëhequr administrata teknike, koalicione të brishta dhe aleanca afatshkurtra që shpesh janë shpërbërë për shkak të skandaleve. Ndërkohë, besimi i publikut është ulur ndjeshëm dhe pjesëmarrja e votuesve ka shënuar rënie të vazhdueshme.
FARIJE DAUTI BAKIU
