Maqedoni
Alarm i rremë për bomba panik në “East Gate” dhe “Diamond Mall”, policia konfirmon se nuk ka rrezik
19.04.2026 15:29
Qytetarët, të frikësuar, thonë se janë evakuuar me shpejtësi dhe se kanë përjetuar panik....

Pas paralajmërimit për bomba në qendrën tregtare “East Gate” dhe “Diamond Mall” vizitorët dhe punonjësit janë evakuuar, ndërsa policia ka kryer kontrolle në terren. Pas më shumë se dy orësh verifikime, autoritetet kanë konfirmuar se nuk është gjetur asnjë mjet shpërthyes dhe se bëhet fjalë për alarm të rremë.
“Ditën e sotme (19.04.2026) në adresën elektronike të Ministrisë së Punëve të Brendshme është pranuar një mesazh me kërcënim se në qendrat tregtare ‘East Gate’ dhe ‘Diamond’ në Shkup janë vendosur mjete shpërthyese. Menjëherë pas pranimit të njoftimit janë ndërmarrë masa dhe aktivitete nga zyrtarët policorë, dhe është konstatuar se bëhet fjalë për kërcënime të rreme për bomba.”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Qytetarët, të frikësuar, thonë se janë evakuuar me shpejtësi dhe se kanë përjetuar panik.
“Pash se si filluan të vrapojnë tek zhveshtorja, mua më frikësuan mendova se kanë hyrë me pistoletë, por pastaj thanë se ka paralajmërim për bombë në East Gate dhe të gjithë duheshte të evakuohemi.”, u shpreh një qytetar.
“Na thanë që të dalim jashtë për çështje sigurie. Të gjithë të dalim jashtë. Ja presim në rrugë këtu.”, u shpreh një qytetar.
“Na thanë se ka paralajmërim për vendosje të një bombe, asgjë tjetër nuk na informuan.”, u shpreh një qytetar.
Nga MPB shtojnë se zyrtarët policorë po ndërmarrin masa dhe po kryejnë kontrolle të detajuara në qendrat tregtare. Aktualisht nuk ka informacion për personat që kanë dërguar mesazhet kërcënuese.
ARMEND MURSELI
