Botë

Konflikti në Lindjen e Mesme, Izrael, protesta kundër politikave të Netanjahut

19.04.2026 15:51

Armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit po i afrohet fundi....

Armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit po i afrohet fundi. Kanë mbetur edhe pak ditë për të gjetur një zgjidhje diplomatike mes palëve, por diçka e tillë duket e pamundur. Një ditë më parë, presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se, nëse nuk arrihet marrëveshje, SHBA-ja do të rifillojë bombardime intensive mbi Iran. Ndërkohë kryetari i Parlamentit Iranian tha se Teherani do t’u përgjigjet ashpër këtyre sulmeve. Ai shtoi se, pavarësisht disa përparimeve në bisedime, ende ekzistojnë dallime të mëdha, sidomos në çështjet bërthamore dhe ato detare, duke theksuar mungesë besimi ndaj kundërshtarit, si pasojë e shkeljeve të përsëritura të marrëveshjeve nga SHBA-ja dhe Izraeli.
 
“Edhe tani ka disa çështje ku mbeten mosmarrëveshje, përfshirë çështjet bërthamore dhe ato të ngushticës. Ne qëndrojmë në pozicionet tona. Negociata do të thotë që të dy palët të arrijnë mirëkuptim, por problemi kryesor është mungesa e besimit. Disa çështje janë zgjidhur, disa jo. Ka propozime të tjera, por ende jemi larg një marrëveshjeje përfundimtare. Ka pika ku ne këmbëngulim dhe nuk jemi të gatshëm të bëjmë kompromis.”, u shpreh Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetar i parlamentit të Iranit.
 
Irani ka kërkuar që të armëpushimi të jetë i përhershëm dhe të përfshijë edhe Libanin në të kundërtën nuk do të ketë paqe në Lindjen e Mesme. Konflikti në rajon i nxitur nga Izraeli dhe SHBA-ja me pretekstin e eliminimit të armeve bërthamore, ka shkaktuar reagime të ashpra në Izrael. Në Tel Aviv, mijëra njerëz janë mbledhur në prag të Ditës së Përkujtimit për të nderuar të rënët dhe për të protestuar kundër politikave të Benjamin Netanjahut.
 
“Kam ardhur çdo javë dhe do të vazhdoj të vij këtu derisa kjo qeveri të zhduket. Mendojmë se kryeministri ynë po na shkakton vetëm dëm. Ai nuk po na ndihmon, por e shkatërron shoqërinë tonë nga brenda, shkatërron marrëdhëniet tona me Evropën dhe Amerikën dhe ne nuk shohim asnjë arsye pse ai duhet të qëndrojë kaq shumë vite.”, u shpreh Raphaelle Pneina, vullnetare në një kuzhinë bamirësie.
 
“Jam këtu sonte para së gjithash për të mbështetur familjet që humbën të dashurit e tyre më 7 tetor dhe që nga 7 tetori në luftën e pafund që po zhvillohet nga kryeministri ynë Benjamin Netanyahu. Kjo është si një pasqyrë e ceremonive të Ditës së Përkujtimit.”, u shpreh Lee Hoffman Agiv, aktiviste sociale.
 
“Gjatë kësaj periudhe, ne kemi bërë shumë gabime me luftën në Liban dhe Iran, dhe  Benjamin Netanyahu e ka bërë për të shmangur burgun, jo për të shpëtuar vendin.”u shpreh Chaim Trivax, mësues i vetëmbrojtjes.
 
Aktualisht edhe Izraeli me Libanin janë në fazën e armëpushimit dhjetëditor të propozuar nga presidenti Trump. Megjithatë, ushtria izraelite disa orë pas kësaj marrëveshjeje vrau ekipin e ambulancës në Nabatieh, në jug të Libanit, aty ku edhe forcat izraelite janë pozicionuar, me pretekstin për të ruajtur sigurinë. Ndërkohë, ky vendim bie ndesh me kërkesat e Hezbollahut që ushtria të tërhiqet plotësisht nga jugu i Libanit gjatë periudhës së armëpushimit.
 
FARIJE DAUTI BAKIU