Maqedoni

Përplasje politike, Filipçe akuzon për ndjekje, Mickoski i mohon pretendimet

19.04.2026 16:19

Mickoski iu përgjigj akuzave të LSDM-së se shërbime të huaja po i ndjekin dhe u thurrin afera.....

Atë që e paralajmëroi opozitarja maqedonase LSDM se pushteti ka angazhuar agjenci të huaja private për fabrikim aferash, përndjekje dhe diskreditim të opozitës, kryeministri Hristijan Mickoski tha se një veprim i tillë nuk ekziston dhe se nuk është pjesë e karakterit të tij. 
 
“Unë jam i fokusuar në zhvillimin e shtetit dhe në kushte më të mira për jetën e qytetarëve, duke pasur parasysh kohët e vështira në të cilat jetojmë. Ndërsa partitë politike që jetojnë në botën e tyre të gënjeshtrave i lë të qëndrojnë aty dhe, për fat të keq, nga dita në ditë ato po margjinalizohen gjithnjë e më shumë dhe po i zhgënjejnë qytetarët.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe tha se Mickoski po e shfrytëzon pozitën e tij për të kërcënuar dhe frikësuar anëtarët e partisë së tij dhe se me këto veprime po e çon vendin drejt një shteti autokratik.
 
“Këtë që e bën kryeministri nuk e bën askush në ndonjë vend të zhvilluar demokratik. Kërcënime dhe akuza janë keqpërdorim të pozitës të kryeministrit dhe shfrytëzim i prokurorisë dhe gjyqësisë për frikësim, kjo të nderuar qytetarë nuk është demokraci, kjo është autokraci, kjo nuk është Maqedonia pro-evropiane, ky është vend pro-rus të cilën po e udhëheq lojtari pro-rus Hristijan Mickoski.”, u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. 
 
LSDM pretendon se agjenci të huaja si ajo “Black Cube” është angazhuar për ndjekje dhe mbledhje informacioni ndaj funksionarëve të saj, përfshirë edhe kryetarin e saj Venko Filipçe. Ata thonë se kompania ka qenë e lidhur edhe me aktivitete në Hungari dhe Slloveni për qëllime politike, por nga VMRO-DPMNE e kanë mohuar një gjë të tillë.
 
ARMEND MURSELI