Maqedoni
Publikohet analiza e FMN-së, Mickoski: Jemi vendi i tretë në Evropë
19.04.2026 16:44
Mickoski theksoi se qeveria që ai udhëheq ka dëshmuar se ka qenë e përgatitur për këtë krizë...

“Vendi ynë renditet në mesin e tre shteteve në Evropë që kanë zbatuar masa konkrete për zbutjen e pasojave negative nga kriza ekonomike”,- kështu u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën e fundit për media, duke iu referuar analizës më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sipas kësaj analize, Mickoski theksoi se qeveria që ai udhëheq ka dëshmuar se ka qenë e përgatitur për këtë krizë, duke ndërmarrë masa konkrete në kohë reale dhe, në këtë mënyrë, ka arritur të zbusë një goditje më të madhe ekonomike dhe të çmimeve. Sipas tij, ulja e akcizave të derivateve të naftës dhe ulja e tatimit mbi vlerën e shtuar kanë dhënë efektin më të mirë, andaj kjo masë do të vazhdojë edhe në dy javët e ardhshme.
“Prandaj ne vendosëm që edhe për dy javët e ardhshme të mbetet 10 për qind, me çka do të kemi sërish ulje të çmimit të benzinës, ndërsa siç e shihni, efektet janë këto për të cilat fola më herët. Ne jemi vendi i tretë në Evropë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Këtë nuk e them unë, por e thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar, në përputhje me analizën e bërë më 15 prill të këtij viti. Nga ajo që mundet të shihni nga një grup autorësh të njohur, i cili praktikisht bën analizën e çmimeve të benzinës dhe naftës në rajon, ne kemi bindshëm çmimet më të ulëta të naftës dhe benzinës.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
Ndërkohë, kryeministri Mickoski tha se mbetet në fuqi edhe masa e dakorduar mes Qeverisë dhe Oktës për uljen e çmimit të benzinës për 2 denarë dhe të naftës për 3 denarë deri në fund të muajit prill. Përveç kësaj ai pret që KRRE-ja të hënën të merr vendim për uljen e çmimeve të derivateve të naftës për rreth 1,5 denarë. Paralelisht me këto masa, tha ai, po punohet edhe për forcimin e ekonomisë vendore.
“Paralelisht me këto masa, po punojmë edhe në forcimin e ekonomisë vendase, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e kushteve për rritje dhe zhvillim afatgjatë. Do të vazhdojmë ta ndjekim me kujdes situatën dhe të reagojmë në mënyrë të përshtatshme. Qasja jonë mbetet e njëjtë. Pa eufori, por me strategji të qartë, me fakte dhe me rezultate konkrete, sepse në fund obligimi ynë është që të sigurojmë stabilitet, siguri dhe një jetë më të mirë për qytetarët.”, u shpreh Mickoski.
Filipçe: A ka më shumë para te qytetarët?!
Por kështu nuk mendon lideri i socialdemokratëve, Venko Filipçe. Ai nuk pajtohet me këto vlerësime, duke thënë se masat e ndërmarra nuk kanë dhënë efektin e pretenduar dhe se qytetarët vazhdojnë të varfërohen dhe të përballen me çmime të larta të produkteve bazë dhe të karburanteve. U ankua se Qeveria i refuzoi propozim masat e opozitës dhe zbatoi vetëm një pjesë të masave të pjesshme, ndërsa tani edhe ato po i shfuqizon.
“Ndryshe nga ne, të gjitha vendet e tjera, si në rajon ashtu edhe në Bashkimin Evropian, kanë ndërmarrë masa të përshtatshme. Zbatuan masa për të mbrojtur qytetarët dhe për të ngadalësuar inflacionin dhe rritjen e çmimeve të energjisë. Vetëm kryeministri ynë nuk reagoi dhe ende tregon përralla se jemi ekonomia e tretë në Evropë. Pyesim, a e ndiejnë qytetarët se ne jemi ekonomia e tretë në Evropë? A e ndiejnë këtë kur hyjnë nëpër markete dhe kur paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe të karburanteve? A e ndiejnë frigoriferët në shtëpi se ne jemi ekonomia e tretë në Evropë? A janë rritur të ardhurat apo janë ulur në kuletat tona? A ka më shumë para te qytetarët dhe a jetojnë më mirë? Përgjigjja është jo. Ata jetojnë shumë më keq se para dy vitesh, kur në pushtet erdhi Mickoski.”, u shpreh lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
Nga ana tjetër, Mickoski, duke iu referuar të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, hodhi poshtë pretendimet e opozitës maqedonase se qeveria aktuale kinse ka dështuar me masat që ka ndërmarrë. Ndërkohë, LSDM vazhdon të kërkojë urgjentisht ngrirjen e çmimeve të produkteve bazë ushqimore, ndërhyrje në TVSH, si dhe miratimin e masave të veçanta për ndihmë ndaj kategorive të rrezikuara të qytetarëve, përfshirë rastet sociale, studentët, pensionistët, punëtorët me të ardhura të ulëta, familjet me më shumë fëmijë dhe bujqit, duke vlerësuar se vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet një zgjidhje reale për zbutjen e pasojave të krizës.
REXHEP QAMILI
