Kulturë
Bon, shënohen ditët e Ballkanit Perëndimor, partneritet RMV-Vestfalia e Rajnës Veriore
19.04.2026 17:07
Në qendër të këtij jubileu është paraqitja e Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut, e cila performon në Bon, qytetin e lindjes së Betovenit....

Aktivitetet nisën me shfaqjen e filmit “Zoti ekziston, emri i saj është Petrunija”, të regjisores Teona Strugar Mitevska, duke hapur diskutime mbi temat shoqërore dhe perspektivat kulturore. Në qendër të këtij jubileu është paraqitja e Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut, e cila performon në Bon, qytetin e lindjes së Betovenit.
Koncerti mbahet në sallën Beethoven-Halle, nën dirigjimin e Desar Sulejmanit, me pjesëmarrjen e solistëve Sihana Badivuku dhe Paskal Krapovski. Kjo paraqitje, në kuadër të 5-vjetorit të bashkëpunimit me Nord-Rajn Vestfalenin, (Vestfalia e Rajnës Veriore) përfaqëson një prezantim të identitetit kulturor të vendit në një skenë ndërkombëtare.
Me atë rast, në ndërtesën e Qytetit të Bonit u organizua një pritje, ku morën pjesë ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Gjermani, Ylber Sela, si dhe zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Europiane, Bekim Sali. Ai potencoi se ky bashkëpunim është shumë i suksesshëm sepse po hapën rrugë zhvillimi në arsim e lartë.
Rruga e bashkëpunimit u nënvizua edhe nga kryetari i Bonit, Guido Déus. Ai theksoi se ekziston potencial i madh për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Jam shumë i lumtur që jeni këtu në Bashkinë e Qytetit tonë dhe më vjen sinqerisht mirë; është një nder i veçantë për ne që ju kemi sot këtu. Besoj se ka shumë mundësi për ta thelluar dhe forcuar bashkëpunimin tonë, duke e bërë atë edhe më intensiv dhe më cilësor se sa është aktualisht. Mendoj se bashkëpunimi është i mirë, por gjithmonë ka hapësirë për të bërë edhe më shumë.”, u shpreh kryetari i qytetit të Bonit, Guido Déus
I njëjti koncert, me të njëjtin mesazh, do të vazhdojë edhe sonte në Oberhausen, në sallën Luise-Albertz-Halle, ku pritet të përmbyllet ky cikël aktivitetesh.
ARDITA IMERI RAMADANI
