Botë

Marta Kos për zgjerimin e BE: Shqipëria mund të bëhet anëtare edhe para 2030-ës

19.04.2026 18:28

Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian deri në 2030-ën...

Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian deri në 2030-ën, por ndoshta edhe më herët. Kështu u shpreh në Këshillin Atlantik komisionerja europiane Marta Kos, e pyetur për perspektivën e zgjerimit të bllokut europian me anëtarë të rinj.
 
“Kemi dy vende në krye të garës: Mali i Zi, i cili shpreson të mbyllë të gjithë kapitujt deri në fund të këtij viti, dhe Shqipëria, e cila ka shprehur vendosmërinë për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit të ardhshëm. Së pari, është e mundur që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian. Është gjithashtu e mundur që Shqipëria të bëhet anëtare deri në vitin 2030, ose edhe më herët.”, u shpreh Kos.
 
Ajo gjithashtu theksoi se BE nuk vendos data për procesin e anëtarësimit, pasi procesi bazohet në meritë dhe varet nga përmbushja e kritereve, eurokomisionerja për zgjerim gjithashtu u shpreh kundër idesë që kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç paraqitën në një editorial të publikuar në gazetën Frankfurter Allgemeine për një integrim të përshpejtuar të vendeve kandidate të përgatitura në zonën Schengen dhe në tregun e përbashkët europian, por pa të drejtë vetoje.