Maqedoni

Zaev për rastin “Monstra”: s’është publikuar me qëllim të ruajtjes së unitetit

08.06.2015 18:37

Edhe përkundër deklarimeve se nuk do të publikohen “bomba” para takimit në Bruksel, LSDM sot doli me ”bombë” të re...

Edhe përkundër deklarimeve se nuk do të publikohen “bomba” para takimit në Bruksel, LSDM sot doli me ”bombë” të re, ku janë përgjuar 10 organizata joqeveritare.
 
Bisedat nuk u bënë publike, por ato në formë të shkruar iu ndanë përfaqësuesve të shoqatave joqeveritare.
 
Duke përgjuar sektorin joqeveritar, sipas Zaevit, Gruevski ka shkelur të drejtat bazike qytetare.
 
Por, vëmendja e të gjithëve u përqendrua në takimin e Brukselit, sidomos pas deklaratës së të premtes të liderit të LSDM-së se nuk do të shkojë atje. Zaev deklaroi se e rëndësishme për takimin në Bruksel  është të definohet se çfarë qeverie do të realizojë zgjedhjet në prill të 2016-ës.
 
“Mbetet për t’u shqyrtuar çështja më e rëndësishme se çfarë qeverie do t’i organizojë, përgatisë dhe realizojë zgjedhjet e parakohshme. Për ne është e papranueshme që një qeveri e udhëhequr nga Nikolla Gruevski t’i organizojë zgjedhjet dhe pikë, nuk lëvizim nga kjo kërkesë. Nëse ndonjë nga të pranishmit në bisedime propozon që në krye të qeverisë të jetë person i cili nuk është i inkriminuar nga të gjitha këto dëshmi dhe argumente që ne i publikojmë, atëherë propozimi mund të pranohet nga të gjithë ne”- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Në pyetjen se pse akoma nuk po bëhen publike bisedat mbi rastin “Monstra” dhe se mos ato mbahen të fshehta për pazare politike me BDI–në, Zaev thotë se nuk ka kurrfarë kalkulimesh për koalicione të ardhshme, megjithëse i bëri thirrje BDI-së të lëshojë qeverinë për të treguar se nuk është bashkëpjesëmarrëse në korrupsionin e VMRO-së.
 
Por, shkaku i mospublikimit të përgjimeve për rastin “Monstra”, sipas Zaevit, është ruajtja e unitetit qytetar.
 
“Gëzohem sikurse shumica e qytetarëve për këtë unitet qytetar që kemi arritur, gëzohem dhe jam krenar. Frikohem që individë nuk do të mund të përmbajnë zemërimin dhe për çfarëdo arsye mund të prishin këtë unitet. Megjithatë, edhe kjo e vërtetë patjetër duhet që të ndahet me qytetarët. Nëse është bërë padrejtësi me të dënuarit, ata do ta presin drejtësinë, nëse bëhet fjalë për drejtësi, atëherë do të vërtetohet e njëjta. Çka do që të jetë, ajo e vërtetë duhet të ndahet me qytetarët, por duhet që të ruajmë unitetin qytetar me të cilin krenohemi të gjithë”- tha Zaev.
 
Lideri i LSDM-së, Zaev, tha se nuk do të lihen pa u publikuar as bisedat mbi rastin e mbylljes së televizionin A1, si dhe realizimin e regjistrimit të popullsisë në vend.
 
MERAL ISMAILI