Maqedoni

Vazhdon gjykimi për vrasjen në Gjorçe, ekspertët: Eshrefi, i vetëdijshëm gjatë vrasjes

08.06.2015 18:42

Naser Eshtrefi, i cili akuzohet për vrasjen e 18 vjeçarit, Angel Petkovski, ka qenë i vetëdijshëm për veprën të cilën e ka kryer...

Naser Eshtrefi, i cili akuzohet për vrasjen e 18 vjeçarit, Angel Petkovski, ka qenë i vetëdijshëm për veprën të cilën e ka kryer, kanë konstatuar psikologu dhe psikiatri para Këshillit të Gjykatësve në Gjykatën Themelore Shkupi 1.
 
E njëjta u konstatua edhe në ekspertizën e parë, por mbrojtja nuk e pranoi këtë konstatim, duke kërkuar shpjegim të dytë. Avokati mbrojtës edhe sot ka insistuar se i akuzuari e ka kryer veprën në vetëmbrojtje, pasi ka qenë i rrezikuar dhe gjithsesi në afekt.
 
“Me rëndësi është a kemi afekt në anën e të akuzuarit edhe atë afekt të intensitetit më të lartë si rezultat i sulmit ndaj tij, që nuk e kontestojnë as ekspertët, pasi të tre njëzëri thonë se rezulton nga sulmi, respektivisht i akuzuari është gjendur në rrezik konkret ndaj integritetit të tij social, fizik, moral dhe psikologjik”- deklaroi avokati mbrojtës i Naser Eshtrefit, Angjell Gjorgjiev.
 
Sipas avokatit Gjorgjiev, meqë nuk bëhet fjalë për vrasje klasike, i akuzuari duhet të gjykohet sipas nenit 123, që parasheh dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet. Naser Eshtrefi mbrojtjen e tij pritet ta paraqesë të premten, kur është paraparë të vazhdojë procesi gjyqësor për këtë rast.
 
Vrasja e maturantit Petkovskit ndodhi më 19 maj vitin e kaluar. Sipas aktakuzës, Eshtrefi ka tentuar që t’ia vjedhë biçikletën Angel Petkovskit, por pasi është vërejtur, ka hequr dorë nga qëllimi dhe ka ikur. Por, më vonë është rastisur nga Angel Petkovski dhe babai i tij, me çka ka ardhur deri tek vrasja.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI