Takimi Kurti - Abdixhiku: Nuk ka marrëveshje për presidentin
Kryeministri Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku...

Kryeministri Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk arritën marrëveshje për presidentin. Këtë e konfirmuan pas takimit dy liderët, duke hedhur përgjegjësinë te njëri-tjetri.
“Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje edhe me partnerët e tjerë që i kemi ne në mazhorancën prej 66 deputetëve ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kur u refuzua oferta jonë për bashkëqeverisje nën shpjegimin se VV-ja nuk duhet t’i ketë tri pozitat e larta shtetërore, atëherë ne bëmë një ofertë tjetër për LDK-në, e kjo është që pozita e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarit të Kuvendit të pësojnë një rokadë, ashtu që ose nënkryetari i LDK-së ose dikush tjetër të zë pozitën e kryetarit të Kuvendit.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Me qenë se insistimi i LVV-së dhe zotit Kurti ishte që të mbajë edhe pozitën e presidentit për VV-në dhe me këtë t’i ketë të tri institucionet, LDK-ja nuk mund të kontribuojë më tutje. Nuk duam t’i marrim më kohë asnjë pale tjetër e as popullit të Kosovës, 53 ditë kemi bërë përpjekje, janë edhe 7 ditë LDK efektivisht është jashtë procesit diskutues për çështjen e presidentit.”, - theksoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Oferta që iu bë LDK-së për bashkëqeverisje, me qëllim që ajo ta mundësonte kuorumin për zgjedhjen e Glauk Konjufcës në postin e presidentit nuk vlen për PDK-në, ka sqaruar Kurti. Sa i përket mundësisë për takim me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, Kurti tha se ai po refuzon takimin.
“Si është e mundur të thuash se dua të merremi vesh, por ja që nuk pranoj të takohemi.”, - u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në këto rrethana edhe Kurti edhe Abdixhiku thanë se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat sipas sipas tyre janë të panevojshme dhe do t’i kushtojnë buxhetit shtetëror rreth 10 milionë euro. (Gyltene Sinani, TVM2)
