Lindja e Mesme, situata tensionohet në prag të negociatave
Çmimet e naftës vazhdojnë të rriten në tregjet ndërkombëtare...

Çmimet e naftës vazhdojnë të rriten në tregjet ndërkombëtare pas incidentit në Gjirin e Omanit, ku ShBA-ja sekuestroi një anije iraniane.
Si përgjigje, Teherani paralajmëroi kundërmasa dhe njoftoi se ka goditur me dronë disa anije ushtarake amerikane.
Situata mes dy vendeve u përkeqësua ndjeshëm para skadimit të armëpushimit dyjavor dhe në prag të raundit të dytë të negociatave për paqe, të planifikuara në Islamabad.
Në këtë klimë të tensionuar, Irani bëri të ditur se ende nuk ka marrë vendim nëse do të marrë pjesë në negociata, duke lënë të hapur pasigurinë për procesin diplomatik.
“Ndërsa pretendojnë se ka diplomaci dhe se janë të gatshëm për negociata, Shtetet e Bashkuara tregojnë sjellje që në asnjë mënyrë nuk dëshmon seriozitet në procesin diplomatik. Vetëm në orët e fundit jeni dëshmitarë të një sulmi ndaj një anijeje tregtare iraniane. E gjithë kjo konsiderohet si shkelje e qartë e armëpushimit.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Bagaei.
Trampi më herët kishte paralajmëruar se ShBA-ja do t’i shkatërrojë të gjitha urat dhe centralet elektrike në Iran, nëse Teherani refuzon kushtet e tij. Irani u kundërpërgjigj me kërcënime për sulme ndaj infrastrukturës në Gjirin Persik.
“Presidenti po përdor çdo mjet të mundshëm për të fituar ndikim mbi regjimin, me qëllim përfundimin e këtij konflikti. Ai është një negociator kreativ. Përdor presion dhe pasiguri.”, - u shpreh sekretari amerikan i Energjisë, Kris Ërajt.
Aktualisht edhe Izraeli me Libanin janë në fazën e armëpushimit dhjetëditor të propozuar nga presidenti Tramp. Megjithatë, ushtria izraelite disa orë pas kësaj marrëveshjeje vrau ekipin e ambulancës në Nabatieh, në jug të Libanit, aty ku edhe forcat izraelite janë pozicionuar, me pretekstin për të ruajtur sigurinë. Ndërkohë, ky vendim bie ndesh me kërkesat e Hezbollahut.
“Forcat izraelite vazhdojnë të mbajnë pozicionet e tyre në jug të Libanit si përgjigje ndaj aktiviteteve të vazhdueshme terroriste të Hezbollahut.”, - theksoi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Aviçaj Adrae.
Në sfondin e diskutimeve për konfliktet në Lindjen e Mesme, e ardhmja e Gazës mbetet ende e paqartë, ndërsa zgjidhja me dy shtete vazhdon të jetë një nga temat kryesore të debatit në Bruksel.
“Ne kemi dënuar veprimet e njëanshme, si zgjerimi i vendbanimeve që minon zgjidhjen me dy shtete dhe i kemi bërë thirrje Qeverisë së Izraelit që t’i anulojë këto vendime.”, - u shpreh përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Në hijen e tensioneve me Iranin, konflikti në Rripin e Gazës mbetet i pazgjidhur. Pavarësisht një armëpushimi disamujor, bombardimet kanë vazhduar. Deri tani janë regjistruar rreth 2.500 shkelje të armëpushimit nga ana e Izraelit, ndërsa situata atje vazhdon të mbetet pa një zgjidhje të qëndrueshme politike. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
