Maqedoni
PNKOK: ADN-ja lidh Ristovin me 350 mijë eurot e fshehura
20.04.2026 14:58
PNKOK ka bërë të ditur se është vërtetuar përfshirja e gjyqtarit Gjoko Ristov në rastin e 350.000 eurove të fshehura...

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka bërë të ditur se përmes analizës së ADN-së është vërtetuar përfshirja e gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov, në rastin e 350.000 eurove të fshehura në murin e shtëpisë familjare. Sipas tyre, ADN-ja e tij është gjetur në mbështjellësen e parave, duke përforcuar dyshimet ndaj tij. Kjo deklaratë vjen vetëm tre ditë pasi Prokuroria njoftoi për aktakuzë kundër Ristovit, pas një hetimi që, sipas prokurores Iskra Haxhi Vasileva, ka siguruar prova të mjaftueshme për dy vepra penale. Prokuroria thekson se bëhet fjalë për fshehje të burimit dhe origjinës së parave, që përbën element të veprës penale “pastrim parash”. Gjithashtu, është konstatuar se i akuzuari nuk ka deklaruar pasuri që tejkalon ndjeshëm të ardhurat e tij të ligjshme. Janë hedhur poshtë edhe pretendimet e Ristovit se paratë rrjedhin nga shitja e një prone, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpi është gjetur edhe një fletë me numra të disa lëndëve gjyqësore.
“Gjatë hetimit siguruam dëshmi të pakundërshtueshme se i akuzuari Gjoko Ristov është ai që i ka fshehur paratë që janë siguruar në mënyrë të paligjshme. Këtë e konstatuam me ekspertizë të ADN-së.”, - theksoi prokurorja publike, Iskra Haxhi Vasileva.
Rasti lidhet edhe me pranimin e fajësisë nga avokati Fehmi Stafa, i cili u dënua pasi kishte marrë ryshfet prej 20.000 euro për të ndikuar te gjyqtari në një çështje konkrete. Edhe pse këto para nuk kanë arritur te gjyqtari, hetimet e mëtejshme çuan në zbulimin e shumës prej 350.000 eurosh të fshehura dhe të padeklaruara. Prokuroria ka propozuar konfiskimin e parave, ndërsa Ristovi akuzohet për “fitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë”, si dhe për “pastrim parash”.
FLORIJE KAMBERI
