Maqedoni
Fronti Evropian ankohet për presion politik, Bexheti fton për rend të ri shtetëror
20.04.2026 15:17
Bexheti ankohet për presion politik nga ana e pushtetit...

Deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti, ankohet për presion politik nga ana e pushtetit për padinë e paralajmëruar ndaj tij për keqpërdorime eventuale të një projekti publik gjatë menaxhimit me komunën e Sarajit. Bexheti përgënjeshtron pretendimet e tilla dhe thotë se ministrit të Brendshëm, Toshkovski, do t’i kundërpërgjigjet me padi. Ai thotë se presioni shtrihet ndaj të gjithë shqiptarëve me mos respektimin e gjuhës, ligji për përfaqësim shndërrohet në ligj etik, ndërkaq synohet ngecja e procesit integrues. Bexheti fton shqiptarët në përcaktim të një rendi të ri shtetëror, pasi nuk lexohet drejtë Marrëveshja e Ohrit.
“Do të jeni dëshmitarë se qëllimi i krejt këtyre presioneve politike bëhet për këtë dhe për procesin integrues. Dhe nëse nuk ka dakordësi, shqiptarët kanë të drejtën legjitime që të kërkojnë rregullim të ri shtetëror dhe vetë të përcaktojnë se si dhe ku duan të jetojnë dhe jo të presin këtë veprim destruktiv të Hristijanit nga Vllae, në cilësinë e kryeministrit që keqpërdor organet shtetërore dhe don të diskrediton në veçanti politikanët shqiptarë.”. - deklaroi deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti.
VLEN: BDI nuk mbron popullin, por kriminelët
Nga Koalicioni VLEN konsiderojnë se Bexheti përpiqet në formë të dëshpëruar që të fshihet pas sloganeve ironike, por në fakt është simbol i drejtësisë së kapur. Sipas tyre, BDI është e fundit që mund të flasë për interesa kombëtare.
“VLEN-i nuk do të lejojë që korrupsioni të maskohet me parulla patriotike. Koha e pandëshkueshmërisë për “të paprekshmit” e Reçicës ka përfunduar. Çdo denar i vjedhur nga xhepi i qytetarëve dhe nga xhepi i popullit shqiptar do të kthehet, ndërsa paniku i Ahmetit, Osmanit dhe Bexhetit është vetëm dëshmia më e sigurt se drejtësia më në fund ka trokitur në derën e tyre.”, thuhet në reagimin e Koalicionit VLEN.
Kuvend, Gashi: Presim nga Qeveria ligjin për përfaqësim
Edhe kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, në një takim me gazetarët njoftoi për përkushtimin e Parlamentit dhe prioritet në miratimin e ligjeve në interes të qytetarëve, përfshi këtu ligjin për përfaqësim të drejtë.
“Ende nuk ka mbërritur ligji për përfaqësim të drejtë. Edhe ne e presim që ligji të vijë. Nuk kemi ndonjë informacion përse nuk është dorëzuar. Presim që Qeveria ta dorëzojë propozim-ligjin.”, u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Parlamenti shikon mundësinë që të përforcojë edhe rolin e komisioneve kuvendore, për një debat më të thellë të ligjeve.
MERAL ISMAILI
