Rajon
Zgjedhjet në Bullgari, Radev: Jemi të përgatitur për një qeveri stabile
20.04.2026 15:33
Rumen Radev ka siguruar një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare të së dielës...

Lideri i Koalicionit “Bullgaria Progresive” e Rumen Radevit ka siguruar një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke fituar 45 për qind të votave, një rezultat që hap rrugën për formimin e një qeverie të qëndrueshme. Radevi e vlerësoi këtë rezultat si një fitore të shpresës, lirisë dhe moralit.
“Dua të falënderoj çdo qytetar bullgar që ka mbështetur “Bullgarinë Progresive”, veçanërisht njerëzit që kanë qenë me mua për 10 vite dhe të gjithë bashkëpunëtorët e mi. Falënderoj të gjithë qytetarët që e kuptuan përgjegjësinë e tyre dhe dolën të votojnë. E kemi mposhtur apatinë, por mosbesimi në politikën bullgare mbetet ende i madh dhe na pret shumë punë; ky do të jetë hapi i parë për rikthimin e këtij besimi. Bullgaria Progresive fitoi dhe kjo është një fitore e shpresës mbi mosbesimin, e lirisë mbi frikën dhe e moralit, pasi qytetarët nuk ranë pre e gënjeshtrave dhe manipulimeve.”, - deklaroi lideri i Koalicionit “Bullgaria Progresive”, Rumen Radev.
Borisov: Negociatat do të vendosin qeverisjen
Në vendin e dytë për nga numri i votave renditet GERB-i i udhëhequr nga Bojko Borisovi, i cili tha se edhe përkundër humbjes negociatat do të vendosin se kush do të qeverisë.
“Faleminderit për çdo votë për GERB-in. Të fitosh zgjedhjet është një gjë, ndërsa të qeverisësh është tjetër. Zgjedhjet përcaktojnë kush del i pari, por negociatat do të vendosin kush do të qeverisë. GERB-i mund të jetë si në pushtet ashtu edhe në opozitë; si në politikë ashtu edhe në jetë, nevojitet durim.”, - theksoi lideri i partisë GERB, Bojko Borisov.
Peskov: Rusia mirëpret qëndrimet e Radevit
Moska ka mirëpritur gatishmërinë e fituesit të zgjedhjeve në Bullgari, Rumen Radev, për të zgjidhur çështjet me Rusinë përmes bisedimeve pragmatike.
“Sigurisht, ne jemi të impresionuar nga fjalët e zotit Radev, i cili fitoi zgjedhjet, si dhe nga disa liderë të tjerë evropianë për gatishmërinë e tyre për të zgjidhur problemet përmes një dialogu pragmatik me Federatën Ruse. Ne jemi të impresionuar nga kjo dhe e mirëpresim atë.”, - u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Qytetarët të ndarë, disa optimistë e disa pesimistë
Ndërkohë qytetarët bullgarë shprehen pesimistë dhe të lodhur nga zgjedhjet. Shumë prej tyre thonë se nuk besojnë se gjërat do të përmirësohen.
“Pres që të ketë më shumë vëmendje tek të pastrehët, të ndërtohen objekte dhe qendra, por është shumë e vështirë, jeta është shumë e vështirë.”, - tha një qytetar.
“Pres diçka më mirë.”, - tha një qytetare.
“Asgjë më ndryshe, pasi gjithmonë rezultatet janë të njëjta.”, - u shpreh një qytetare.
“Asgjë nuk pres përderisa nuk shoh se kanë ndryshuar gjërat, Bullgaria shkon mbrapa, duhet të punohet dhe jo vetëm të premtohet.”, - u shpreh një qytetare tjetër.
“Pres të luftojë korrupsionin dhe gjithë sistemin, të ketë siguri më të madhe, të rriten pensionet.”, - theksoi një qytetare.
Këto janë zgjedhjet e teta parlamentare në pesë vitet e fundit në Bullgari, në përpjekje për t’i dhënë fund paqëndrueshmërisë së zgjatur politike.
ARMEND MURSELI
