Ekonomi
KRrE: Ulet shitja me pakicë e derivateve të naftës
20.04.2026 15:54
KRrE ka sjellë vendim me të cilin ulet çmimi i shitjes me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht për 2.13%....

Komisioni Rregullator i Energjetikës ka sjellë vendim me të cilin ulet çmimi i shitjes me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht për 2.13%. Sipas Komisionit në fjalë, në vendimin për përcaktimin e çmimeve më të larta të shitjes me pakicë të derivateve të naftës, janë përfshirë norma e privilegjuar e TVSH-së prej 10% me përjashtim të mazutit dhe fraksionet e dizelit, dhe shumat e ulura të akcizës për eurodizel prej 4 den/l dhe 2 den/l për fraksionet e benzinës.
“KRrE solli vendimin, me të cilin bëhet ulja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht 2.13% në raport me vendimin e datës 14.4.2026. Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës ЕUROSUPER BS-95 dhe të EUROSUPERIT BS-98 dhe të ЕURODIZELIT (DЕ V) ulen për 1.50 den/l. Çmimi i shitjes me pakicë i Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rritet për 0.50 den/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU ulet për 2.93 den/kg dhe do të jetë 46.28 den/kg. Theksojmë se këto janë çmimet maksimale të derivateve të naftës nga ora 00:01 e datës 21.4.2025. Nga data 21.4.2026, ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
- Benzinë motori EUROSUPER BS - 95 80.50 (denarë/litër)
- Benzinë motori EUROSUPER BS - 98 82.50 (denarë/litër)
- Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 94.00 (denarë/litër)
- Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 97.00 (denarë/litër)
- Mazut М-1 SU 46.288 (denarë/kilogram)”
LSDM dhe VMRO-DPMNE, përplasje rreth masave të Qeverisë
Por, nga LSDM, kanë akuzuar kryeministrin e vendit, Hristijan Mickoski, se nuk është duke ndërmarrë asgjë për ta lehtësuar jetën e qytetarëve në këtë valë të shtrenjtimeve.
“Mickoski nuk ndërmori asgjë. Përkundrazi, Qeveria shfuqizoi edhe masën për uljen e TVSh-së për naftën, duke e kthyer atë në 18%. Por, tani është tepër vonë, çmimet janë rritur dhe barrën e mbajnë qytetarët. Populli ka paguar për gabimet e Mickoskit dhe çmimi do të vazhdojë të rritet. Sfida të reja priten në maj, parashikimet e Bankës Qendrore Evropiane dhe Komisionit Evropian janë se do të ketë një ngadalësim të rritjes, inflacion të lartë dhe rrezik recesioni.”, - deklaroi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE kanë përgënjeshtruar pretendimet e LSDM-së.
“Së pari, jo VMRO-DPMNE, por FMN thotë se ne jemi ndër tre vendet e para që kanë zbatuar më shumë masa për t'u përballur me goditjet e çmimeve. Së dyti, Maqedonia ka çmimet më të ulëta në rajon dhe Evropë për karburantet. Së treti, gjatë kohës së LSD-së dhe BDI-së, çmimet e karburanteve ishin mbi 110 denarë dhe ishin gjithashtu ndër më të lartat në rajon dhe më gjerë. Së katërti, pagat në atë kohë u rritën me 5%, ndërsa inflacioni ishte 14%. Sot, pagat rriten me rreth 10-15% në vit në të gjitha sferat e sektorit publik, ndërsa inflacioni është rreth 3%.”, - thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Kohë më parë Qeveria mori vendim për vazhdimin e masës për uljen e akcizave të derivateve të naftës, me vlefshmëri deri më 04 maj.
Me këtë vendim vazhdohet ulja e akcizës për dizelin prej 4 denarësh për litër, si dhe ulja e akcizës për benzinat pa plumb 95 dhe 98 oktan në prej 2 denarësh për litër.
FITIM KRYEZIU
