Rajon

Kurti: Nuk mund t’i jap opozitës atë që nuk ia dha populli

21.04.2026 14:00

Partitë opozitare PDK dhe LDK kanë njoftuar se nuk pajtohen me ofertën e kryeministrit Kurti...

Partitë opozitare PDK dhe LDK kanë njoftuar se nuk pajtohen me ofertën e kryeministrit Kurti dhe nuk do të vazhdojnë më tej takimet për zgjedhjen e presidentit të shtetit. Por, Kurti thotë se nuk mund t’ua jep opozitës atë që nuk e kanë fituar në zgjedhje.
 
“PDK le ta bën kryetar të Kuvendit Bedri Hamzën ose Vlora Çitakun, Albulena Haxhiu bëhet  nënkryetare e kuvendit dhe vazhdojmë tutje. Dhe besoni kjo nuk është pak, sepse Albulena Haxhiu ka më shumë vota se Bedri Hamza dhe Albulena Haxhiu ka gati katërfish më shumë vota se Vlora Çitaku. Ndërkaq nëse e krahasoni me LDK-në dhjetë veta në VV janë më të votuar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Kam bërë ofertë gjeneroze, kryetari i LDK-së mund të bëhet zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, pra të kenë katër ministri. Ose, ta ketë versionin tjetër, nëse nuk i pëlqen të bashkëqeverisë ta bëjmë rokadën, ku Lumir Abdixhiku ose dikush tjetër i LDK-së bëhet kryetar kuvendi. Ata nuk i kanë votat as duke ia mbledh nënshkrimet një kandidati, 22 deputetët e PDK-së nuk mjaftojnë për të aplikuar. Nuk ia ka dhënë populli, si me ia dhënë un ë,kur nuk ia ka dhënë populli.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Haradinaj: Kurti po e çon Kosovën përsëri në zgjedhje
 
Por, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili nuk ishte ftuar nga Kurti për konsultime rreth zgjedhjes së presidentit, e bën fajtor kryeministrin për shkuarjen e Kosovës në zgjedhje. 
 
“Kurti ka vendosur të shkojmë në zgjedhje në kohën kur e ka bërë Qeverinë, pa krijuar një koalicion edhe për presidentin. Ose, në kohën kur e ka votuar buxhetin pa marrëveshje me subjektet opozitare për ndonjë projekt apo temë të caktuara. Këto janë  kamuflazhe të tija, për fat të keq ai po tallet me të gjithë ne, me Kosovën. Po shkon drejt zgjedhjeve.”, - theksoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. 
 
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është deri më 28 prill, në të kundërtën Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat, sipas afateve kushtetuese, do të duhet të mbahen në muajin qershor. 
 
GYLTENE SINANI