Maqedoni

MASh dhe VLEN dakordohen, propozim-ligji për arsim kalon në procedurë qeveritare

21.04.2026 14:09

Projektligji i ri për arsimin e lartë është finalizuar....

Projektligji i ri për arsimin e lartë është finalizuar. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, bëri të ditur se pas takimit të fundit me përfaqësuesit e Koalicionit VLEN është arritur pajtueshmëri për tekstin e ligjit. Sipas saj, projektligji i kompletuar pritet që gjatë ditës së mërkurë të dërgohet në procedurë qeveritare.
 
“Sot kishim takimin e fundit me partnerin tonë të Koalicionit VLEN, ku kishim 6 pika për t’i diskutuar dhe mund të them se në të gjitha 6 pikat kemi gjetur një gjuhë të përbashkët dhe ligji që nesër, e mërkurë, kalon në procedurë qeveritare. Pesë nga gjashtë pikat të cilat ishin për diskutim i kemi biseduar edhe më herët, sepse ky konsultim ishte i vazhdueshëm dhe për të njëjtat nuk kemi pasur shumë paqartësi, ndërsa pika e gjashtë për të cilën është nevojitur diskutim më i gjerë ishte Indeksi i Hirshovit, për të cilën gjetëm një gjuhë të përbashkët, që i njëjti të mos jetë elementi bazë si kriter për përzgjedhje, por të jetë vetëm si element shtesë tek kriteret për përzgjedhje. Më mirë thënë, nëse kemi një rast kur dy profesorë kanë pika të barabarta, indeksi i Hirshovit të jetë vendimtar.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Edhe nga Koalicioni VLEN konfirmuan se është gjetur gjuhë e përbashkët më ministren Janevska. 
 
“Në takimin e sotëm me partnerët e koalicionit qeveritar arritëm dakordësi të plotë për versionin final të pakos së ligjeve për reforma në arsimin e lartë. Heqja e H-Indeksit si kriter bazë për përzgjedhjen e kuadrit akademik është një vendim i drejtë, që reflekton realitetin dhe nevojën për vlerësim më të balancuar dhe meritokratik. Si rrjedhojë e kësaj, asnjë i punësuar nuk do të humbasë vendin e punës. Vendimi që rangimi për organizimin e ciklit të tretë të bëhet nga universitetet më të mira është një standard që rrit cilësinë, ku universitetet në gjuhën shqipe do të jenë pjesë aktive dhe konkurruese.”, thuhet në komunikatën e VLEN-it. 
 
Krejt në fund, ministrja Janevska po ashtu foli edhe për ndryshimet të cilat janë bërë në drejtim të dhënies së provimit të maturës. Sipas ligjit për arsim të mesëm, nxënësit do të kenë tre lloje të maturave: maturën shtetërore, maturën shtetërore profesionale dhe maturën shtetërore artistike. 
 
FITIM KRYEZIU