Maqedoni
Provimi i jurisprudencës, VLEN: 5 ministra dhe nipi i Ahmetit lanë shqipen jashtë përdorimit
21.04.2026 14:14
Partitë shqiptare kanë vazhduar përplasjet rreth interesave shqiptare dhe shtetërore....

Partitë shqiptare kanë vazhduar përplasjet rreth interesave shqiptare dhe shtetërore. Nga VLEN-i kanë akuzuar partinë e Ahmetit se pesë ministrat e tyre të drejtësisë, si dhe nipi i Ali Ahmetit, gjatë mandatit të Krenar Llogës në krye të Ministrisë së Drejtësisë lanë shqipen jashtë përdorimit në dhënien e provimit të jurisprudencës. Nga VLEN-i zotohen se studentët shqiptarë do ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
“Kur në Komisionin për provimin e jurisprudencës ka qenë i përfshirë si zëvendësanëtar edhe Bujar Ahmeti, djali i vëllait të Ali Ahmeti, përsëri, asnjë hap përpara. Asnjë drejtësi për studentët shqiptarë. Kjo është politikë e qëllimshme përjashtuese, e mbuluar me retorikë boshe patriotike. Për vite me radhë, Ministria e Drejtësisë u drejtua nga emra shqiptarë, nga Blerim Bexheti, Adnan Jashari, Valdet Xhaferi, Bilen Saliu, deri te Krenar Lloga. Pesë ministra. Pesë mandate. Pesë mundësi të arta për të korrigjuar një padrejtësi të hapur ndaj studentëve shqiptarë.”, thuhet në kumtesën e Koalicionit VLEN.
BDI kritikon qeverisjen e VLEN-it dhe Mickoskit
Nga BDI kanë kritikuar qeverisjen e koalicionit VLEN së bashku me partinë e Mickoskit. Sipas tyre, janë dëmtuar interesat e shqiptarëve në vend.
“Marrëveshja e Ohrit, gjuha, përfaqësimi institucional: të gjitha vihen në pikëpyetje sistematikisht. Dhe grupimi VLEN, i cili supozohet të përfaqësojë shqiptarët në Qeveri, nuk ka liri të thotë jo. Liderët e tij mbahen nën kontroll të kryeministrit Mickoski përmes detyrimit politik dhe shfrytëzimit të ekspozimit kriminal një koalicion i kapur, jo i zgjedhur.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Integristët thonë se pushteti gjithashtu ka dëmtuar ekonominë, ka izoluar vendin, ka sulmuar shqiptarët dhe ka shërbyer si avangardë e ndikimit rus, andaj kërkojnë llogari për politikat aktuale.
MERAL ISMAILI
