Botë

Lindja e Mesme, tensionet në rritje mes një armëpushimi të brishtë

21.04.2026 14:35

Armëpushimi mes ShBA-së dhe Iranit po i afrohet fundit, ndërsa e ardhmja e bisedimeve për paqe mbetet e paqartë....

Armëpushimi mes ShBA-së dhe Iranit po i afrohet fundit, ndërsa e ardhmja e bisedimeve për paqe mbetet e paqartë. Një delegacion amerikan, i kryesuar nga nënpresidenti, J.D. Vance pritet të marrë pjesë në negociatat që do të zhvillohen në Pakistan. Nga ana tjetër, Irani ka bërë të ditur se nuk do të hyjë në negociata nëse ato zhvillohen nën presion apo kërcënime. Ndërkohë, presidenti Donald Tramp hedh poshtë pretendimet se është nën presion për një marrëveshje, por shprehet optimist se një zgjidhje mund të arrihet relativisht shpejt. 
 
“Duke vendosur bllokadë dhe duke shkelur armëpushimin, Trampi synon që sipas imagjinatës së tij, ta shndërrojë tryezën e negociatave në një tryezë dorëzimi ose të justifikojë nxitjen e re të luftës. Ne nuk pranojmë negociata nën hijen e kërcënimeve dhe gjatë dy javëve të fundit jemi përgatitur të zbulojmë karta të reja në fushën e betejës.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit iranian, Mohamad Baker Kalibaf.
 
Sipas agjencive botërore, situata në Lindjen e Mesme është përkeqësuar për shkak të deklaratave të ashpra nga Shtëpia e Bardhë dhe rritjes së tensioneve detare në Ngushticën e Hormuzit. Përshkallëzimi filloi pasi ShBA-ja sulmoi dhe sekuestroi një anije tregtare iraniane gjatë fundjavës. Këto zhvillime kanë bërë që përpjekjet për dialog dhe zgjidhje diplomatike të dobësohen ndjeshëm. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar kërkon ulje të tensioneve dhe stabilitet ekonomik global. Spanja, Sllovenia dhe Irlanda kërkojnë rishikim të marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe Izraelit.
 
“Ajo që po ndodh me luftën në Iran e bën të qartë se liria e lundrimit nuk mund të zëvendësohet me skema pagese për kalim. Ne mbështesim zgjidhjet diplomatike, por është gjithashtu e qartë se jemi të shqetësuar për aspektin bërthamor dhe programet raketore.”, - theksoi shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Kaja Kallas.
 
“Aktualisht kemi një situatë jashtëzakonisht serioze në Lindjen e Mesme dhe në Gjirin Persik. Kjo është kriza më e madhe globale e këtij shekulli dhe pa dyshim kriza më e madhe në rajon që nga Lufta e Gjirit.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Spanjës, Hose Manuel Albares Bueno.
 
“Pavarësisht armëpushimit shumë të brishtë, po shohim shkelje të së drejtës ndërkombëtare edhe në Gazë. Duhet vërtet të veprojmë me vendosmëri si Bashkim Evropian dhe jo vetëm të vëzhgojmë çfarë po ndodh në dritën e situatave të tjera në Iran dhe Liban.”, - deklaroi ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon.
 
Pavarësisht armëpushimit, Izraeli pretendon se lufta ende nuk ka përfunduar dhe ka lëshuar kërcënime të ashpra ndaj zyrtarëve të Hezbollahut, në kontekstin e tensioneve të vazhdueshme në kufirin me Libanin.
 
“Kemi urdhëruar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit të veprojnë me forcë, nga toka dhe ajri, edhe gjatë armëpushimit, për të mbrojtur ushtarët tanë në Liban nga çdo kërcënim.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz.
 
Izraeli dhe Libani ranë dakord për një armëpushim 10-ditor, por ushtria izraelite mbeti plotësisht e pranishme në jug, si në tokë ashtu edhe nga ajri, për të parandaluar sulmet ndërkufitare nga Hezbollahu dhe forma të tjera të veprimeve ushtarake.
 
FARIJE DAUTI BAKIU