Botë
OKB: Lufta në Ukrainë vazhdon të shkelë të drejtën ndërkombëtare
21.04.2026 14:52
Lufta në Ukrainë vazhdon të përshkallëzohet, duke shkaktuar viktima civile dhe dëme të mëdha në gjithë vendin...

Lufta në Ukrainë vazhdon të përshkallëzohet, duke shkaktuar viktima civile dhe dëme të mëdha në gjithë vendin, u tha në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndihmës sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Khaled Khiari, tha se sulmet ruse janë intensifikuar dhe se armëpushimi i Pashkëve nuk është respektuar.
“Pesë vite pas fillimit, pushtimi i plotë i Federatës Ruse në Ukrainë vazhdon të testojë të drejtën ndërkombëtare, të thellojë ndarjet dhe të minojë rendin shumëpalësh të bazuar në rregulla. Përtej zonës së konfliktit, lufta ka rritur tensionet rajonale, me dronë të raportuar në Estoni, Letoni, Lituani dhe Finlandë. Duhet të mbetemi të vendosur në përkushtimin tonë për t’i dhënë fund kësaj lufte, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara.”.
Nga ana humanitare, OKB-ja paralajmëroi për pasoja të rënda, pasi shkatërrimi i infrastrukturës energjetike po lë miliona njerëz pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje.
“Që nga raportimi ynë i fundit një muaj më parë, sulmet janë intensifikuar dhe civilët vazhdojnë të mbajnë barrën më të rëndë. Goditjet me raketa, dronë dhe artileri kanë prekur zona banimi, transport publik, sisteme energjetike dhe infrastrukturë portuale.”, - deklaroi ndihmës sekretarja e përgjithshme për Çështjet Humanitare të OKB-së, Joyce Msuya.
Në Këshillin e Sigurimit pati gjithashtu akuza të ndërsjella mes Rusisë dhe Ukrainës për shkelje të armëpushimit.
“Duhet të komentojmë akuzat për shkelje të armëpushimit të Pashkëve të shpallur nga presidenti rus. Shpresojmë që kjo masë t’u ketë mundësuar shumicës së besimtarëve ortodoksë të festojnë në paqe. Kievi menjëherë filloi të bëjë akuza kundër Rusisë për shkelje të armëpushimit. Megjithatë, pala ruse ka verifikuar të paktën 6.500 shkelje të armëpushimit nga forcat e armatosura të Ukrainës.”, - theksoi ambasadori i Rusisë në OKB, Vasili Nebenzia.
“Zotëri Putini po e rrit rrezikun në këtë lojë të ashpër, duke lëshuar ultimatume dhe duke iu drejtuar ndërmjetësve amerikanë, duke kërkuar që Ukraina të tërhiqet vullnetarisht nga rajoni i Donetskut si parakusht për çdo bisedë paqeje. Dua të ritheksoj qartë dhe njëherë e përgjithmonë: Ukraina refuzon çdo lloj ultimatumi. Ne kurrë nuk do të heqim dorë as nga një milimetër i territorit tonë dhe as nga qytetarët tanë.”, - u shpreh ambasadori i Ukrainës në OKB, Andri Melnyk.
OKB-ja theksoi se miliona njerëz në Ukrainë kanë nevojë për ndihmë humanitare, ndërsa financimi ndërkombëtar mbetet i pamjaftueshëm.
FARIJE DAUTI BAKIU
