Botë

Tensione mes Meksikës dhe ShBA-së, operacionet antidrogë në qendër të polemikës

21.04.2026 16:09

Një aksident fatal gjatë një operacioni kundër karteleve të drogës në veri të Meksikës ka shkaktuar tensione mbi koordinimin mes autoriteteve vendase dhe ShBA-së....

Një aksident fatal gjatë një operacioni kundër karteleve të drogës në veri të Meksikës ka shkaktuar tensione mbi koordinimin mes autoriteteve vendase dhe ShBA-së. Ngjarja ndodhi në shtetin Çihuahua, ku humbën jetën zyrtarë meksikanë dhe punonjës të ambasadës amerikane. Presidentja e Meksikës, Klaudia Sheinbaum, tha se qeveria federale nuk ishte në dijeni për një operacion të përbashkët mes Meksikës dhe ShBA-së. Sipas saj, aksioni ishte vendim i autoriteteve të nivelit shtetëror dhe jo i koordinuar me qeverinë qendrore.
 
“Jemi në kontakt me Ambasadën e ShBA-së. Kjo është gjëja e parë, mbi të gjitha. Së dyti, ne nuk kishim dijeni se kishte një operacion të drejtpërdrejtë të përbashkët midis shtetit Çihuaua dhe personelit të Ambasadës së ShBA-së në Meksikë. Po kërkojmë informacion nga qeveria e Çihuauas dhe gjithashtu nga qeveria e ShBA-së dhe po shqyrtojmë nëse ka ndonjë shkelje të ligjit për sigurinë kombëtare, sepse është e rëndësishme.”, - deklaroi presidentja e Meksikës, Klaudia Sheinbaum.
 
Ambasadori amerikan në Meksikë shprehu ngushëllime për viktimat dhe theksoi angazhimin e përbashkët për luftën kundër krimit të organizuar. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Tramp ka përsëritur më herët propozimin për dërgimin e trupave amerikane në Meksikë, ide që është refuzuar vazhdimisht nga qeveria meksikane.
 
“Ne e vlerësojmë përkushtimin dhe përpjekjet e tyre të pandalshme për të përballuar një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë. Mendimet dhe lutjet tona janë me ta dhe familjet e tyre. Kjo tragjedi është një kujtesë e dhimbshme e rreziqeve me të cilat përballen zyrtarët meksikanë dhe amerikanë që punojnë për të mbrojtur komunitetet tona, dhe forcon vendosmërinë tonë për të vazhduar misionin e tyre dhe për të çuar përpara angazhimin tonë të përbashkët për siguri dhe drejtësi, për të mbrojtur njerëzit tanë.”, - theksoi ambasadori i ShBA-së në Meksikë, Ronald Xhonson.
 
Aksidenti ndodhi gjatë një operacioni kundër laboratorëve të paligjshëm të drogës në zona rurale, kur një automjet që transportonte dy zyrtarë meksikanë dhe dy përfaqësues të ambasadës amerikane ra në një humnerë dhe shpërtheu. Sipas ligjit meksikan, çdo bashkëpunim me qeveri të huaja kërkon miratim nga autoritetet federale. Sheinbaum theksoi se Meksika mban bashkëpunim me ShBA-në në fushën e sigurisë, por nuk lejon operacione të përbashkëta në tokë apo ajër, vetëm shkëmbim informacioni dhe inteligjence.


FARIJE DAUTI BAKIU