Botë

Agjencia e OKB-së: Gati 4 milionë të zhvendosur kthehen në Sudan mes kushteve të brishta

21.04.2026 18:44

Rreth 4 milionë njerëz janë kthyer vullnetarisht në të gjithë Sudanin...

Rreth 4 milionë njerëz janë kthyer vullnetarisht në të gjithë Sudanin, por mungesa e shërbimeve bazë dhe infrastruktura e dëmtuar rrezikojnë që këto kthime të mos jenë të qëndrueshme, paralajmëroi të martën Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), transmeton Anadolu.

Agjencia tha në një deklaratë se shumica e kthimeve janë përqendruar në Al Jazirah dhe Khartum, ku njerëzit po kthehen pavarësisht shkatërrimeve të vazhdueshme dhe shërbimeve të kufizuara.

"Për shumë njerëz, kthimi në shtëpi duhet të shënojë fillimin e rimëkëmbjes. Në vend të kësaj, shumë shpesh ai do të thotë përballje me shërbime të shkatërruara, shtëpi të dëmtuara dhe pasiguri të re" tha SungAh Lee, zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme e IOM-it për menaxhim dhe reforma.

"Njerëzit kanë nevojë për qasje në shërbime bazë, strehim të sigurt dhe mënyra për të rindërtuar jetesën e tyre. Pa këtë mbështetje, kthimet e sigurta dhe dinjitoze bëhen shumë më të vështira për t'u mbajtur", shtoi ajo.

Në kulmin e konfliktit, gati 12 milionë njerëz u larguan nga zonat më të goditura në të gjithë Sudanin, i cili u zhyt në luftë civile në prill 2023, ndërsa më shumë se 4 milionë kaluan në vendet fqinje, sipas IOM-it.

Agjencia tha se gati 9 milionë njerëz mbeten të zhvendosur brenda vendit.

Ajo paralajmëroi se sistemet e dëmtuara të ujit, rrjetet elektrike, objektet shëndetësore dhe banesat në Khartum, si dhe sistemi bujqësor i dëmtuar në Al Jazirah, vazhdojnë të komplikojnë përpjekjet e rimëkëmbjes.

IOM gjithashtu tha se plani i saj i reagimit për krizën në Sudan për vitin 2026 mbetet i nënfinancuar me 97,2 milionë dollarë, duke vënë në dukje se më shumë se 2 milionë persona të tjerë pritet të kthehen vullnetarisht vetëm në Khartum gjatë këtij viti.