Maqedoni

Parregullsi në regjistrimet në Fakultetin Filozofik, Janevska: Jemi në pritje të raportit përfundimtar

22.04.2026 13:50

Janevska tha se është në pritje të raportit përfundimtar për të marrë një vendim konkret lidhur me disa parregullsi të evidentuara në procedurat e regjistrimit të disa studentëve...

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se është në pritje të raportit përfundimtar për të marrë një vendim konkret lidhur me disa parregullsi të evidentuara në procedurat e regjistrimit të disa studentëve në studimet master dhe të doktoratës në Fakultetin Filozofik, në kuadër të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”. Ajo pranon se situata është mjaft e komplikuar, por pavarësisht kësaj, shpreh besimin se bëhet fjalë për një rast të izoluar dhe jo për një dukuri të përhapur.
 
“Situata është mjaft e komplikuar dhe unë nuk jam kompetente të jap një vlerësim. Ekzistojnë institucione të tjera në vend dhe shpresoj që procedura do të zhvillohet ashtu siç duhet. Do të doja të besoja se ky është një rast i izoluar dhe se nuk është bërë me tendencë, por pikërisht për këtë arsye institucionet tjera do ta thonë fjalën e tyre dhe ashtu siç do të konstatojnë ato, ashtu edhe do të veprohet. Unë ende jam në pritje të raportit, por nëse anulohet regjistrimi, do të pasojë edhe anulimi i diplomave.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
 
Këtë e tha Janevska gjatë inspektimit të punimeve për zgjerimin e kapacitetit të shkollës fillore “Krum Toshev” në fshatin Trubarevë, një investim ky i cili kap vlerën prej 23 milionë denarësh, të siguruara nga Qeveria. Ditë më herët, autoritetet e arsimit zbuluan se disa studentë pa përfunduar ciklin e parë në këtë fakultet ishin regjistruar në mënyrë të paligjshme në studime master dhe doktorature në Fakultetin Filozofik. Parregullsitë u konstatuan nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, i cili urdhëroi anulimin e regjistrimeve. Në ndërkohë Dekani Oliver Bakreski tha se kontrolli ishte kërkuar nga vetë fakulteti dhe se bëhet fjalë për 7-8 studentë me studime trevjeçare profesionale dhe master njëvjeçar.
 
REXHEP QAMILI