Rajon
Haxhiu: Nuk është mirë që Kosova të shkojë në zgjedhje
22.04.2026 14:00
Në rrethana kur partitë politike i kanë betonuar qëndrimet dhe nuk lëshojnë pe për çështjen e presidentit

Në rrethana kur partitë politike i kanë betonuar qëndrimet dhe nuk lëshojnë pe për çështjen e presidentit, ushtruesja e detyrës së presidentes, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka ftuar partitë politike që t’i vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së presidentit, me qëllim që të shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Mendoj që nuk është mirë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Unë e kam shpjeguar disa herë që kemi shumë punë para vetes, shumë reforma që duhet t’i shtyjmë përpara, një agjendë legjislative ambicioze e Qeverisë së Republikës së Kosovës që përmban diku 174 projektligje, secili projektligj më i rëndësishëm se tjetri, por, edhe për shumë aspekte të tjera, jo vetëm ato të brendshme, por edhe të jashtme. Në këtë drejtim, unë kam kërkuar edhe publikisht që të gjitha grupet parlamentare të bëjnë përpjekje maksimale që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por që t’i jepet mundësia takimeve dhe një marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së vendit.”, - theksoi u.d. presidente e Kosovës, Albulena Haxhiu.
Madje ajo theksoi edhe shembullin personal, duke ofruar pozitën e kryeparlamentares për opozitën, me qëllimin e vetëm që Kosova të mos shkojë në zgjedhje.
“Unë kam ofruar edhe pozitën e kryetares së Kuvendit, sepse çfarë më duhet pozita e kryetares së Kuvendit, nëse dikush e kërkon këtë dhe i parandalon zgjedhjet e jashtëzakonshme.”, - u shpreh u.d. presidente e Kosovës, Albulena Haxhiu.
Kurti: Zgjedhjet mund të përsëriten edhe disa herë
Zgjedhjet e reja do ta dëmtojnë shtetin e Kosovës, pasi do t’i humbin shtetit edhe kohë edhe buxhet, vlerëson kreu i Vetëvendosjes, kryeministri Albin Kurti. Sipas tij, zgjedhjet e reja nuk ofrojnë zgjidhje, pasi askush nuk do të mund t’i marrë 80 deputetë, prandaj, siç tha ai, nevojitet marrëveshje mes partive.
“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja së paku 10 milionë euro kushtojnë për organizimin e tyre nga KQZ-ja. Nëse shkojmë në zgjedhje të reja për shkak se nuk do të funksionojë Kuvendi, do t’i humbim dhjetëra milionë euro si shtet. Dhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhej të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, meqenëse unë nuk e di si mund t’i kemi 80 deputetë, është e domosdoshme që të merremi vesh, kam qenë shumë bujar me opozitën.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Por, krerët e PDK-së dhe LDK-së, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku, e kanë refuzuar ofertën e kryeministrit Kurti, që ato të merrnin postin e kryeparlamentarit dhe ta votonin Glauk Konjufcën për president. Ndërsa LDK-ja e ka refuzuar edhe propozimin që të bëhet pjesë e Qeverisë me një zëvendëskryeministër dhe katër ministra. Nëse deri më 27 prill nuk tejkalohen dallimet mes partive, më 28 prill Kosova automatikisht shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat do të duhet të mbahen në fillim të qershorit.
GYLTENE SINANI
