Botë

Ukraina me thirrje ndaj BE-së, kërkon zhbllokimin e paketës prej 90 miliardë eurosh

22.04.2026 14:14

Ukraina i ka kërkuar Bashkimit Evropian që të zhbllokojë menjëherë paketën e ndihmës prej 90 miliardë eurosh...

Ukraina i ka kërkuar Bashkimit Evropian që të zhbllokojë menjëherë paketën e ndihmës prej 90 miliardë eurosh, pasi presidenti Zelenski njoftoi se janë përfunduar riparimet në naftësjellësin “Druzhba” dhe se tranziti do të rifillojë brenda ditës. Ai akuzoi Rusinë për sulmet dhe theksoi se këto fonde janë thelbësore për mbështetjen ushtarake dhe ekonomike të vendit, duke shtuar se nuk ka më arsye për bllokimin e tyre. Gjithashtu, ai kërkoi që presioni ndaj Moskës të vazhdojë.
 
“Është me rëndësi kryesore që paketa evropiane e mbështetjes për Ukrainën, 90 miliardë euro për dy vite, të zhbllokohet. Këto mjete tashmë janë miratuar nga Këshilli Evropian, por janë bllokuar. Nuk duhet të ketë më asnjë arsye për bllokimin e tyre. BE-ja i kërkoi Ukrainës të riparojë naftësjellësin “Druzhba”, i cili u shkatërrua nga Rusia. Ne e riparuam dhe shpresojmë që BE-ja të përmbushë edhe detyrimet e saj të rëna dakord.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Sllovakia është e gatshme të mbështesë paketën e 20-të të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, pas rifillimit të rrjedhës së naftës përmes naftësjellësit “Druzhba”.
 
“Sipas vlerësimit tonë, kjo nuk do të ketë ndikim në ekonominë sllovake, por do ta bëjmë vetëm pasi nafta ruse të mbërrijë sërish në Sllovaki përmes naftësjellësit.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar.
 
Ndërkohë, Kremlini thotë se është duke u përgatitur të vazhdojë dërgesat e naftës, por se kjo varet nga Kievi. Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se vendi synon krijimin e një “zone sigurie” në rajonet kufitare me Ukrainën për të eliminuar çdo kërcënim.
 
“Zona e sigurisë për të cilën flasim po krijohet gradualisht në territorin fqinj. Do të vazhdojmë të veprojmë kështu deri sa të eliminojmë kërcënimin ndaj rajoneve tona kufitare.”, - u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
 
Në front, luftimet vazhdojnë. Ukraina i ka kërkuar Turqisë që të marrë rolin e vendit ndërmjetësues dhe të organizojë një takim mes Zelenskit dhe Putinit, me synim arritjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë për përfundimin e luftës.
 
FARIJE DAUTI BAKIU