Konflikti në Lindjen e Mesme, zgjatet armëpushimi mes ShBA-së dhe Iranit

22.04.2026 14:36

Armëpushimi ndërmjet ShBA-së dhe Iranit është shtyrë për një periudhë të pacaktuar...

Armëpushimi ndërmjet ShBA-së dhe Iranit është shtyrë për një periudhë të pacaktuar, bëri të ditur presidenti amerikan Donald Tramp pak para përfundimit të afatit. Ai theksoi se marrëveshja do të vazhdojë të jetë në fuqi derisa Teherani të dalë me një propozim të përbashkët, duke lënë të kuptohet se brenda udhëheqjes iraniane ka mendime të ndara.

Ndërkohë, bllokada e porteve mbetet në fuqi dhe negociatat janë të pasigurta pas anulimit të vizitës së JD Vance në Islamabad, ndërsa Trampi tha se ekonomia iraniane është dobësuar ndjeshëm për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.

“Është kërkuar që ta shtyjmë sulmin tonë ndaj Iranit derisa udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre të dalin me një propozim të përbashkët. Prandaj i kam urdhëruar ushtrisë të vazhdojë bllokadën dhe të mbetet e gatshme. Me këtë, do ta zgjas edhe armëpushimin derisa të dorëzohet propozimi i tyre dhe bisedimet të përfundojnë, në një mënyrë apo tjetër.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Teherani mbetet skeptik me vendimin e Trampit, duke e cilësuar si një përpjekje për të fituar kohë për sulme të mundshme në befasi. Autoritetet iraniane thonë se ende nuk ka një vendim përfundimtar për dialog me ShBA-në, ndërsa bllokadën e konsiderojnë akt lufte dhe theksojnë se bisedimet mund të nisin vetëm nëse bllokada hiqet.

“Nuk është marrë një vendim përfundimtar. Arsyeja është e qartë, përballemi me mesazhe kontradiktore dhe veprime të papranueshme nga pala amerikane. Agresioni ndaj transportit detar dhe tregtisë është një shkelje e rrezikshme. Këto janë shembuj piraterie dhe terrorizmi shtetëror.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghae.

Vendimi për zgjatjen e armëpushimit është mirëpritur nga vendi ndërmjetësues në negociata dhe nga organizatat ndërkombëtare.

“E falënderoj Trampin për pranimin e kërkesës sonë, që do të mundësojë vazhdimin e përpjekjeve diplomatike.”, - theksoi kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve, krijimit të hapësirës për diplomaci dhe ndërtimit të besimit mes Iranit dhe ShBA-së.”, - u shpreh zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stefan Dujarriq.

“Është e rëndësishme t’i japim vazhdimësi procesit. Kemi aspektin bërthamor, por edhe çështje të tjera të rëndësishme, raketat balistike dhe çështjet rajonale. Situata në ngushticë do të duhet patjetër të zgjidhet së bashku me këto. Prandaj është e rëndësishme t’i jepet një shans paqes.”, - deklaroi drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Mariano Grosi.

Ndërkohë, BE-ja paralajmëroi sanksione të reja kundër Iranit për shkak të pengimit të lundrimit në ngushticë.

“Kemi arritur marrëveshje për zgjerimin e sanksioneve për të synuar ata që janë përgjegjës për shkeljen e lirisë së navigimit. Kalimi nëpër ngushticë duhet të mbetet i lirë.”, - theksoi shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

Britania e Madhe dhe Franca, bashkë me ekspertë ushtarakë nga mbi 30 vende, po punojnë në Londër, për të gjetur mënyra për rihapjen e ngushticës dhe rikthimin e qarkullimit të lirë detar. Nga ana tjetër, Irani paralajmëron se do të sulmojë objektiva amerikane dhe izraelite nëse provokohet sërish, duke treguar fuqinë e tij në mitingje në Teheran, ku janë ekspozuar edhe sisteme të raketave balistike. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)