Maqedoni

Gjykimi për fatkeqësinë në Koçan, u dëgjua një dëshmitare, të tjerët të pakapshëm

22.04.2026 14:49

Vetëm një dëshmitare u dëgjua në seancën e sotme gjyqësore për zjarrin katastrofal në diskotekën “Puls” në Koçan...

Vetëm një dëshmitare u dëgjua në seancën e sotme gjyqësore për zjarrin katastrofal në diskotekën “Puls” në Koçan, pasi të tjerët ishin të pakapshëm edhe për organet e rendit. Tea Gjorgjieva, dëshmitare e Prokurorisë, tha se ishte ulur në tavolinën e parë pranë skenës dhe mjetet piroteknike, ishin të vendosura shumë afër të pranishmëve. Ajo rrëfeu se në momentin e shpërthimit të zjarrit nuk e kuptuan menjëherë rrezikun, ndërsa më pas u krijua panik dhe tollovi e madhe drejt daljes. 
 
“Pashë që tavani po digjej, por në fillim nuk e morëm seriozisht. Kur u drejtuam drejt daljes, kishte shumë njerëz dhe u bllokuam. Ndjeva një erë të çuditshme dhe dëgjova shpërthime pas meje. Në një moment mbeta e shtrirë dhe kërkoja ndihmë, derisa një pjesëtar i sigurimit më nxori jashtë.”, deklaroi ajo.  
 
Ajo shtoi se nuk kishte vërejtur që njerëzit të drejtoheshin drejt daljeve alternative dhe se hapësira ishte e mbushur plot. Dëshmitarja shtoi se kishte pasur raste të përdorimit të piroteknikës po në të njëjtën diskotekë edhe kur ajo kishte vizituar diskotekën më parë, kur ishte e mitur. Ndërkohë, familjarët e viktimave kanë shprehur pakënaqësi për zvarritjen e procesit, duke theksuar se përballen me shpenzime për të ndjekur seancat në Shkup. Në seancën e radhës gjykatësja propozoi vazhdimin e seancës me dëshmi materiale, ndërsa pritet leximi i raporteve të autopsisë për 63 viktimat, ku do të sqarohen shkaqet e vdekjes.
 
Në tragjedinë në diskotekën "Puls" në Koçan, që ndodhi më 16 mars 2025, humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën. Për këtë rast akuzohen 35 persona.
 
FLORIJE KAMBERI