Qeveria teknike drejt fundit, Kuvendi hap rrugën për shfuqizim

22.04.2026 15:10

Me 67 vota “për”, 13 “kundër” dhe asnjë të përmbajtur...

Me 67 vota “për”, 13 “kundër” dhe asnjë të përmbajtur, Kuvendi në seancën plenare e përcaktoi nevojën për miratimin me procedurë të shkurtuar të propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë.

Qëllimi i ndryshimeve të propozuara është shfuqizimi i modelit të qeverisë kalimtare, e cila prej vitesh ishte vendosur si mënyrë për organizimin e proceseve zgjedhore.

“Në kushte kur partitë politike janë të drejtuar në përparimin e kornizës ligjore zgjedhore, përmes fuqizimit të mbikëqyrjes së procesit zgjedhor, institucionet e pavarura në vendosjen e mekanizmave të qartë dhe efikas për kontroll dhe sanksionim të keqpërdorimeve eventuale gjatë kohës së procesit zgjedhor, krijohen kushte për eliminimin e shkaqeve objektive për të cilat ishte vendosur modeli i Qeverisë teknike.”, - deklaroi zëvendësministri i Administratës Publike, Llaze Jakimovski.

Kundër propozimit të këtij ligji votoi LSDM-ja. Partia opozitare rikujtoi se Qeveria teknike ishte sjellë me konsensus të plotë nga katër partitë më të mëdha politike atëherë dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar.

“Me kërkesën tuaj ishte vendosur që qeveri kalimtare të ketë deri në hyrjen e vendit në Bashkimin Evropian. Sot këto qëndrime që i deklaroni si shkak për miratimin e propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për Qeveri janë krejtësisht jorelevante me kërkesat tuaja që i keni pasur në vitin 2018.”, - theksoi Oliver Spasovski nga LSDM.

VMRO-DPMNE reagimet e opozitës i cilësoi si reagime paniku, duke thënë që me vet faktin që vendi e ka kaluar proceesin e post-monitorimit janë plotësuar kushtet që të shfuqizohet qeveria teknike.

“Miratimi i këtij ligji ka filluar qysh nga 20 janari, kur ministri i Administratës, Goran Minçev, na mbledhi të gjithë partitë politike, na i dha ligjin që ta shqyrtojmë dhe të diskutojmë për ndryshimet eventuale të cilat mundet të ndodhin, për shkak se edhe në mënyrë formale dhe joformale u pajtuam se qeveria teknike është zgjidhje e tejkaluar dhe se ajo duhet të ndryshohet.”, - u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

Ndërkohë partitë shqiptare pushtet-opozitë debatin për këtë çështje vendosën ta bëjnë jashtë seancës, nëpërmjet konferencave për media. BDI theksoi se në parim nuk do të mbështesë propozim-ndryshimet ligjore për Qeverinë, për faktin se qeveria teknike është arritur me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar.

“Sa i takon Ligjit për Qeverinë, diçka që është arritur me marrëveshje politike dhe mbështetje të faktorit ndërkombëtar, do të duhet të zhbëhet po në të njëjtën formë, me marrëveshje politike dhe me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.”, - deklaroi Arbana Pasholli nga BDI.

Ndaj qëndrimit të BDI-së kanë reaguar nga VLEN-i, duke thënë se qeveria teknike u imponua si zgjidhje në kohë krizash, konteskt i cili nuk ekziston më.

“Konteksti i vitit 2015 nuk ekziston më, nuk jemi më në atë realitet krizash politike dhe kolapsi institucional. Përkundrazi sot me qeverisjen e VLEN-it kemi një realitet krejt tjetër, procese zgjedhore të njohura ndërkombëtarisht, mbikqyrje më të fortë institucionale dhe standarde më të larta demokratike.”, - theksoi Saranda Imeri Stafai nga Koalicioni VLEN.

Përndryshe, modeli i qeverisë kalimtare do të vlejë edhe gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe më pas ky model do të shfuqizohet plotësisht. (Ersan Pajaziti, TVM2)