Maqedoni
Qeveria miraton propozim-ligjin e arsimit të lartë, Sali: Janë përfshirë të gjitha sugjerimet
22.04.2026 15:35
Propozim-ligji për arsimin e lartë përfundon në Qeveri dhe këtyre ditëve pritet t’i dorëzohet Kuvendit për miratim...

Propozim-ligji për arsimin e lartë përfundon në Qeveri dhe këtyre ditëve pritet t’i dorëzohet Kuvendit për miratim. Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka deklaruar se ligji është miratuar në Qeveri në versionin final, duke përfshirë të gjitha sugjerimet e universiteteve shqiptare. Avancimet, sipas Sali, do të jenë e drejtë e universiteteve, ndërsa theksoi se asnjë i punësuar nuk do të largohet nga puna.
“Kemi arritur suksesin që të kemi një ligj të rafinuar mirë dhe që do t’i përgjigjet të gjitha nevojave të arsimit të lartë në periudhën e ardhshme, ajo nënkupton marrëveshjen, ose një pikë e rëndësishme, që ka qenë si shqetësim te punonjësit akademik, heqja e H indeksit, e cila në të kaluarën ishte si kriter bazë për zgjedhjet akademike apo avancimet akademike. Tani, nuk do të jetë kjo, do të jetë e drejtë e universiteteve brenda. Për raste të caktuara ku ka dy ose më tepër kandidatë, H faktori të jetë një nga faktorët vendimmarrës. Kemi garantuar edhe të punësuarit në universitetet tona se asnjë i punësuar nuk do të largohet nga vendi i punës.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.
Pasholli: Vetëm eufori e pushtetit
Nga BDI-ja nuk besojnë se VLEN-i ka adresuar të gjitha problemet dhe sipas tyre, vetëm se po bëhet eufori në opinion. Deputet e BDI-së nuk do ta mbështesin propozim-ligjin në Kuvend.
“Mendoj se është një eufori, të cilën ata po e bëjnë jehonë nëpër rrjetet sociale. Mendoj që arritja për ta mënjanuar H indeksin është një shkas për t’u tërhequr vëmendja nga problemet serioze të këtij propozim-ligji, që kanë të bëjnë kryesisht si me autonominë financiare, gjithashtu edhe me centralizimin e vendimmarrjes.”, - theksoi deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.
Për miratimin e ligjit, përpos shumicës së thjeshtë prej 61 votave, nevojitet shumica e Badinterit, të komuniteteve joshumicë dhe në mungesë të së njëjtës vihet në pikëpyetje miratimi i ligjit. Opozita gjatë gjithë kohës ka ngritur shqetësimet nëse propozim-ligji shton kontrollin e shtetit ndaj universiteteve dhe preket autonomia e tyre edhe pse pushteti këmbëngul të kundërtën dhe nënvizon se synimet kryesore janë cilësia më e lartë, lidhja me ekonominë e punës, si dhe modernizimi i studimeve.
MERAL ISMAILI
