Propozim-ligji për një shtetësi, Bojkovska: Modeli me një shtetësi të vetme është i drejtë

22.04.2026 15:47

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së në Kuvend...

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së në Kuvend ka paraqitur propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për deputetët, me të cilin kufizohet e drejta e deputetëve për të pasur shtetësi të dyfishtë.

Deputetja Dragana Bojkovska ka deklaruar se ligji duhet të zbatohet menjëherë, pasi si grup parlamentar mendojnë se është i drejtë dhe mbron interesat kombëtare.

“Ne vlerësojmë se modeli i një deputeti me një shtetësi të vetme është i drejtë dhe shpresoj që do të arrihet një konsensus më i gjerë nga ana e deputetëve, sepse duhet të jemi të përgjegjshëm, pasi jemi përfaqësues të popullit dhe kemi për detyrë mbrojtjen e interesave kombëtare, para së gjithash të një shteti.”, - deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dragana Bojkovska.

Pasholli: Po e sjellin me procedurë të shkurtuar, nuk e mbështesim

Nga ana tjetër, deputetët e Frontit Evropian thonë se nuk do ta mbështesin këtë propozim-ligj.

“Të gjitha propozim-ligjet po i sjellin me procedurë të shkurtuar, pa dhënë mundësi që të shqyrtohen në mënyrë të detajuar dhe pa mundësuar që opozita të japë kontributin e saj. Prandaj, qëndrimi ynë është se nuk do t’i mbështesim.”, - theksoi deputetja e Frontit Evropian, Arbana Pasholli.

LSDM-ja do ta mbështesë propozimin që deputetët në Kuvend të kenë vetëm shtetësi maqedonase, i paraqitur nga pesë deputetë të VMRO-DPMNE-së, të udhëhequr nga Antonio Milloshoski.

Qëndrimin e ka paraqitur Oliver Spasovski, pas së cilës u votua që propozimi të hyjë në procedurë të shkurtuar. Megjithatë, Spasovski u distancua duke vlerësuar se ky ndryshim i Ligjit për deputetët është një lëvizje thjesht populiste dhe se nuk mund të sigurohet dëshmi nëse një deputet ka vetëm shtetësi maqedonase apo më shumë, prandaj ky ndryshim është i pazbatueshëm.

Ndërkohë edhe Partia Liberal - Demokrate e Maqedonisë ka propozuar që të gjithë funksionarët e emëruar të kenë vetëm një shtetësi, e jo vetëm deputetët. (Armend Murseli, TVM2)