Integrimi i vendit, Mickoski nga Vjena: Procesi po bilateralizohet, kërkojmë garanci nga BE-ja
E ardhmja evropiane e vendit, investimet...

E ardhmja evropiane e vendit, investimet, shkëmbimi tregtar dhe biznesi, interesat mes Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë, në fokus të takimit mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kancelarit austriak, Kristijan Shtoker.
Shefi i ekzekutivit nga Vjena tha se Evropa nuk do të jetë e fuqishme dhe e sigurt nëse pjesët e saja mbeten të dobëta. Sipas tij, nuk mjafton vetëm ideja evropiane, por edhe rezultati. Duke folur për aspiratat nëpër të cilat ka kaluar vendi në rrugën eurointegruese, Mickoski nënvizoi se perceptimi i vendit është se procesi po bilateralizohet.
Nga qendra politike evropiane ripërsëriti se për ndryshimet kushtetuese kërkon garanci nga BE-ja, ku përfshihen disa pika.
“Çka është ajo që i frustron qytetarët e Maqedonisë dhe ajo që e bën të ardhmen evropiane të vendit të paqartë? Është procesi i bilateralizimit të bisedimeve aderuese, për të cilën ndjejmë se për ne paraqet rëndesë të pazakontë, proces që e kemi filluar para 20, 26 vitesh. Por, për fat të keq, për shkak të çështjeve bilaterale, në njëfarë mënyre, ky proces për ne u bë tregim pa fund… Sërish prej neve kërkohet ndryshimi i Kushtetutës. Pozicioni ynë është shumë i qartë, se ne si qeveri jemi të gatshëm të ulemi me aleatët tanë, në rastin konkret, me fqinjët tonë dhe të bisedojmë për tejkalimin e këtij problemi. Por, për ne më të rëndësishme janë garancitë që i presim në suaza të Këshillit Evropian për identitetin tonë maqedonas, e dyta, se s’do të ketë çështje tjera bilatareale, që gjatë rrugëtimit dikush mund t’i hapë, dhe e treta, çka do të bëjmë me bashkësinë maqedonase, që për fat të keq në Bullgari nuk mund të formojnë së paku organizatë joqeveritare?”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Zgjerimi i BE-së, Shtoker: E dikton gjeopolitika, aspirantët t’i kryejnë detyrat
Edhe kancelari austriak Kristijan Shtoker tha se zgjerimi i BE-së ndikon në forcimin gjeopolitik dhe se rruga e RMV-së dhe vendeve tjera të Ballkanit, çon në stabilitet dhe prosperitet. Theksoi se në këtë çështje duhet të veprohet me strategji, duke shtuar se vendet që pretendojnë Unionin, duhet t’i përmbushin kushtet dhe detyrimet.
“Zgjerimi i BE-së është instrumenti gjeopolitik më i fuqishëm për paqe, siguri dhe prosperitet. Gjashtë vendet nga Ballkani Perëndimor janë pjesët që mungojnë në mozaikun evropian. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për altruizëm, por edhe për interes personal dhe të sigurisë evropiane. Për ta zhvendosur përpara projektin e suksesshëm për zgjerimin e BE-së, të gjithë duhet t’i plotësojmë detyrat e nevojshme. Zgjidhja s’do të vijë nga jashtë, as nga Brukseli, as nga Vjena. Është koha t’i lëmë pas dallimet dhe të marrim në dorë përgjegjësinë gjeopolitike, për të mirën tonë të përbashkët evropiane.”, - theksoi kancelari i Austrisë, Kristijan Shtoker.
Në takim mes dy delegacioneve është biseduar edhe për marrëdhëniet ekonomike, politike dhe kulturore, si dhe mundësitë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve mike. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
