Maqedoni
Propozim-ligji për shfuqizimin e qeverisë teknike para komisioneve parlamentare
23.04.2026 09:27
Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë...

Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, me të cilin fillon procedura për shfuqizimin e qeverisë teknike, sot është para anëtarëve të Komisionit parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive dhe të Komisionit juridiko-ligjvënës.
Zëvendësministri për administratë publike, Laze Jaçimoski, në arsyetimin dje para deputetëve theksoi se qeveria kalimtare, përkatësisht teknike për realizimin e zgjedhjeve për deputetë në Kuvend, e vendosur si model ligjor, përkatësisht zgjidhje e përkohshme në kushte të krizës së theksuar politike dhe institucionale, kishte për qëllim sigurimin e konsensusit për organizimin dhe realizimin e proceseve zgjedhore.
– Për shkak të nevojës për përdorim racional dhe të përgjegjshëm të financave publike, forcimin e stabilitetit institucional dhe sigurimin e legjitimitetit të plotë demokratik të Qeverisë, si bartëse e pushtetit ekzekutiv e zgjedhur nga Kuvendi, me këtë propozim-ligj vendoset një kornizë e qartë dhe e zbatueshme ligjore, e cila do të garantojë zgjedhje të drejta dhe transparente përmes institucioneve të themeluara me Kushtetutë dhe ligje, dhe do t’i eliminojë zgjidhjet e përkohshme të vendosura me marrëveshje politike në të kaluarën. Me zgjidhjen e propozuar ligjore vendoset një kornizë ligjore stabile dhe e parashikueshme me të cilën rregullohet, vendoset një qeveri stabile dhe reale, përkatësisht teknike deri në ditën e shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe ndarjes së mandateve sipas njësive zgjedhore nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e para parlamentare të radhës të realizuara pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, pas së cilës krijohen kushte për shfuqizimin e saj – theksoi Jaçimoski.
Në këtë mënyrë, siç theksoi ai, sigurohet realizimi i zgjedhjeve të drejta, të lira dhe transparente përmes institucioneve të themeluara në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, forcohet stabiliteti institucional dhe mundësohet realizimi i plotë i legjitimitetit demokratik të Qeverisë si bartëse e pushtetit ekzekutiv. Ai theksoi se në interes publik të qytetarëve dhe shtetit parashihet përdorim racional, i përgjegjshëm dhe transparent i financave publike.
Deri më tani ka pasur tre qeveri teknike. E para në vitin 2016 u udhëhoq nga Emil Dimitriev nga VMRO-DPMNE, e dyta në vitin 2020 nga Oliver Spasovski nga LSDM dhe e treta në vitin 2024 nga Talat Xhaferi nga BDI.
Qeveria kalimtare nënkupton që njëqind ditë para zgjedhjeve kryeministri aktual jep dorëheqje. Formohet një Qeveri e re në krye me një kryeministër tjetër të propozuar nga pushteti, ndërsa në Qeveri hyjnë edhe pesë funksionarë nga opozita: dy ministra – për punë të brendshme dhe për politikë sociale, si dhe tre zëvendësministra shtesë – për financa, për bujqësi dhe për administratë publike. Pushteti, nga ana tjetër, ka ministra shtesë në dy resorët ku ministri është nga opozita.
Anëtarët e Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive do të diskutojnë edhe për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për deputetët me procedurë të shkurtuar, me të cilin parashihet që kandidati për deputet të ketë vetëm shtetësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
