Kulturë

Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja në moshën 89-vjeçare

23.04.2026 12:41

Më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja....

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademiku i njohur shqiptar Rexhep Qosja. Lajmi u bë i ditur nga familja e tij, e cila njoftoi se ai ndërroi jetë më 23 prill 2026 dhe u varros në një ceremoni private, në praninë e anëtarëve të ngushtë.

Sipas njoftimit, me dëshirë të të ndjerit nuk do të organizohet ceremoni pritjeje dhe familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale, duke kërkuar respektimin e privatësisë gjatë periudhës së zisë.
 
I lindur më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, Qosja ishte një nga figurat më të rëndësishme të mendimit kritik shqiptar. Ai kreu studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ndërsa doktoroi në Universitetin e Beogradit me temë mbi poetin Asdreni.
 
Gjatë karrierës së tij të gjatë, Qosja dha kontribut të shquar në albanologji, duke qenë për shumë vite pjesë e Instituti Albanologjik i Prishtinës, të cilin edhe e drejtoi. Ai është autor i dhjetëra veprave studimore, letrare dhe publicistike, ndër to edhe vepra monumentale “Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi”.
 
Përveç veprimtarisë shkencore dhe letrare, Qosja ishte i angazhuar edhe në jetën publike dhe politike në Kosovë, veçanërisht në periudhën para dhe pas luftës, duke u shquar si zë i fuqishëm i mendimit kritik dhe çështjes kombëtare.
 
Akademik Rexhep Qosja konsiderohet një nga personalitetet më me ndikim në kulturën dhe mendimin shqiptar, ndërsa vepra e tij mbetet një referencë e rëndësishme për studimet letrare dhe historinë kulturore shqiptare.