Rajon
Mosmarrëveshjet për presidentin, partitë e hedhin fajin te njëra-tjetra
23.04.2026 13:38
Lëvizja Vetëvendosje është në pritje të partive opozitare që ta pranojnë ndonjërën nga dy ofertat e saja dhe në atë mënyrë të arrihet deri te zgjedhja e Presidentit...

Lëvizja Vetëvendosje është në pritje të partive opozitare që ta pranojnë ndonjërën nga dy ofertat e saja dhe në atë mënyrë të arrihet deri te zgjedhja e Presidentit. Kështu deklaroi shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, duke theksuar se kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmëri që t’i japë opozitës kryetarin e Kuvendit ose LDK të bëhet pjesë e Qeverisë me katër ministra dhe një zëvendëskryeministër.
“Në ditët e mbetura, unë vërtet pres që të gjithë deputetët, por veçmas dhe partitë politike, të cilat mbi të gjitha deklarojnë se janë për shmangien e zgjedhjeve të reja, të tregojnë, përtej asaj se bllokojnë mundësinë për gjetjen e zgjedhjes, të tregojnë specifikisht çfarë për ata do të ishte e vlefshme apo e duhur. Edhe sot që flasim, ne nuk e dimë cilët janë emrat konkretë, të cilët do t’i mbështeste PDK-ja ose LDK-ja, ose cila është marrëveshja specifike çfarë kërkojnë.", - deklaroi Arbërie Nagavci nga LVV.
Por, shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu, ka thënë se tendenca e kryeministrit Kurti është në një cikël të vazhdueshëm zgjedhjesh.
“Së pari deklaratat që zoti Kurti ka bërë për cikël zgjedhjesh e tregojnë me gjasë edhe tendencën e tij edhe e shpjegojnë krejt idenë mbrapa. Krejt kjo dinamikë e shpjegon që ne jemi duke shkuar në zgjedhje, por jemi duke shkuar në zgjedhje, sepse partia më e madhe nuk po prodhon një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit. Është partia më e madhe që ka numrin më të madh të deputetëve dhe që në bazë të Kushtetutës i takon përgjegjësia më e madhe për ta zgjedhur presidentin.", - theksoi Jehona Lushaku Sadriu nga LDK.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se si grup parlamentar nuk do të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit.
“Asnjëherë, prej kur ka filluar diskutimi për president, nuk ka pasur konsultim serioz. Nuk ka pasur qëllim për të ardhur deri te një president i cili ka tipare unifikuese dhe konsensuale. Ajo që u diskutua për dy muaj rresht është për Qeverinë e Kosovës, a do dikush të marrë përsipër të jetë në Qeverinë e Kosovës, por jo për të ardhur deri te një emër konsensual.”, - u shpreh Besnik Tahiri nga AAK.
Haxhiu: Partitë të reflektojnë, që të shmangen zgjedhjet
Nga ana tjetër, ushtruesja e detyrës së presidentes, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që palët të reflektojnë dhe të shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Mendoj që është shumë gabim që një javë para se të përmbyllet afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të dilet me përfundimin se kjo çështje është e mbyllur për faktin se është dashur që gjithë kjo javë që kemi pasur para vetes të shfrytëzohet në drejtim të arritjes së një konsensusi për të zgjedhur presidentin apo presidenten e vendit me mandat pesëvjeçar. Kuvendit nuk i duhen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës.", - u shpreh u.d. presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu.
Partitë politike kanë afat deri më 27 prill ta zgjedhin presidentin e ri të shtetit, në të kundërtën Kosova automatikisht shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
GYLTENE SINANI
