Kulturë

Botime shkencore, Bejtulla sjell analizën mbi krimin e organizuar

23.04.2026 13:47

U promovua mbrëmë Libri Akademik “Krimi i organizuar në kontekstin rajonal dhe ndërkombëtar”....

U promovua  mbrëmë Libri Akademik “Krimi i organizuar në kontekstin rajonal dhe ndërkombëtar”. A ekziston krimi i organizuar shqiptar sot në Ballkan dhe si luftohet krimi i organizuar, janë çështjet që ngrit puna kërkimore 4-vjeçare e studiuesit të ri të kriminalistikës, Rijad Bejtulla, që përmes librit sjell një analizë të gjerë, të strukturuar mbi krimin e organizuar shqiptar. Sipas autorit, ky libër synon të jetë urë midis akademisë dhe praktikës dhe të shërbejë si hartë analitike e fenomenit të kriminalitetit, nga strukturat e para deri tek format më të sofistikuara bashkëkohore të krimit.  
 
“Qëllimi është të ofroj një pasqyrë të qartë dhe realiste se si funksionojnë këto struktura, cilët janë faktorët që i ushqejnë dhe si ndërveprojnë me shtetet, institucionet dhe tregjet ilegale. Krimi i organizuar nuk është i pathyeshëm, ai forcohet aty ku ka padituri, ai ngritet aty ku ka frikë, por ai mbijeton aty ku mungon strategjia, por dobësohet dhe bie kur përballet me profesionalizëm, dije dhe institucione që e dinë se çfarë bëjnë.”, - deklaroi studiuesi i kriminalistikës, Rijad Bejtulla.  
 
Sipas njohësve të shkencave juridike, vlera shkencore e librit është qasja ndërdisiplinore, që mundëson të kuptohet krimi i organizuar jo si një fenomen i izoluar, por si produkt i ndërveprimit kompleks mes kulturës tradicionale, tranzicionit politik, krizave ekonomike dhe globalizimit të tregjeve ilegale. 
 
“Një aspekt me rëndësi të veçantë është analiza e marrëdhënies mes krimit të organizuar dhe shtetit, kapitujt që kanë të bëjnë me korrupsionin, lidhjet kriminale politike, dobësitë institucionale, sfidat e luftës kundër krimit të organizuar, rolin e SPAK-ut, OFL-së, bashkëpunimin me Europoli, Interpolin dhe NATO-n i japin këtij libri një dimension analitik dhe normativ. Këtu autori nxit reflektim mbi kapacitetin dhe vullnetin e shtetit për të vepruar, si dhe mbi kufijtë real të reformave në një shoqëri me traditë të gjatë klientelizmi dhe kapje politike.”, - theksoi recensenti i librit, Afrim Osmani.  
 
Analiza synon të krijojë një model analitik të krimit të organizuar shqiptar, i cili mund të përdoret si referencë akademike dhe si udhëzues praktik për profesionistët e sigurisë. Sipas studiuesve,  libri ofron material  të vyer për studime të mëtejme në fushën e kriminalistikës edhe përtej Ballkanit. 
 
ARLINDA BAFTIU