Maqedoni

Investime kapitale, Nikollovski: Korridorin 8 e ndërtojmë me dinamikë

23.04.2026 14:04

Vendi ynë është duke treguar se ka kapacitet të udhëheqë projekte të mëdha infrastrukturore...

Vendi ynë është duke treguar para institucioneve të larta të BE-së, se ka kapacitet të udhëheqë projekte të mëdha infrastrukturore, siç është Korridori 8, tha mes tjerash zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në hapjen e takimit të punës me temën "Korridori 8 - aktivitete dhe projekte", i cili organizohet në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shkup dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian. Sipas Nikollovskit, ndërtimi i pjesës hekurudhore dhe rrugore të Korridorit 8 do të kushtojë 5 miliardë euro.
 
“Po flasim për ecurinë dhe zhvillimin e Korridorit 8, i cili shkon nga Lindja në Perëndim, një korridor shumë i rëndësishëm që NATO-ja e shpalli si korridorin e dytë më të rëndësishëm për sigurinë. Kemi lëshuar në përdorim qarkoren në Kriva Pallankë, ndërsa tani po punojmë në ndërtimin e autostradës Tetovë – Gostivar dhe Gostivar – Bokojçan, si dhe në autostradën Ohër – Kërçovë. Me një fjalë thënë nga pika kufitare me Shqipërinë deri tek pika kufitare me Bullgarinë duhet të kemi autostradë.”, - theksoi zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski.
 
Nikollovski: Fillon faza III e hekurudhës
 
Nikollovski po ashtu njoftoi se sa i përket linjës hekurudhore është shpallur tender për zgjedhjen e mbikëqyrësit për fazën e tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë, por temë e diskutimeve është edhe linja hekurudhore nga Shkupi në drejtim të pikës kufitare me Shqipërinë.
 
“Me kënaqësi dua ta ndaj me ju një informacion se është shpallur tenderi për zgjedhjen e mbikëqyrësit për fazën e tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë dhe për rreth 10 ditë duhet të shpallet edhe tenderi për zgjedhjen e realizuesit, që gjatë verës do të fillojnë punët në terren. Të gjitha 16 tunelet janë hapur dhe pres deri në vitin 2028 ta mbarojmë fazën e dytë. Po ashtu do të flasim për hekurudhën Shkup – Jegunovcë – Tetovë – Gostivar - Kërçovë, dhe pjesa e dytë nga Kërçova – Ohri – Struga deri tek pika kufitare me Shqipërinë.”, - u shpreh zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski. 
 
Nupnau: Korridori 8 është një investim strategjik
 
Edhe Ben Nupnau nga Delegacioni i BE-së theksoi se Korridori 8 është një projekt strategjik me përfitime për qytetarët dhe shtetet.
 
“Korridori 8 është një investim strategjik, me të vetmin qëllim lidhjen e shteteve, siç janë Italia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, e pastaj duke vazhduar në drejtim të Rumanisë dhe shteteve Baltike. Ky korridor është i rëndësishëm edhe në aspektin ushtarak, sepse do t’i lidhë dy daljet në det, prandaj është i rëndësishëm për vendet e NATO-s, sepse rrit edhe mobilitetin ushtarak të aleancës. Besoj se këto 1.2 miliardë euro që janë pranuar nga BE-ja, do të jenë të shfrytëzuara.”, - theksoi zëvendësshefi i Delegacionit të BE-së, Ben Nupnau.
 
Nikollovski po ashtu theksoi se rruga Shkup – Bllacë është akoma në fazën e evaluimit, ku shteti në shpalljen e bërë ka pranuar 11 oferta nga kompani serioze, ndërsa procesin e evaluimit është duke e kryer Banka Evropiane për Zhvillim, dhe presim që shumë shpejt të dalin me një vendim final.  
 
FITIM KRYEZIU