Botë

Lufta ShBA - Izrael me Iranin, Trampi pret përgjigje të unifikuar

23.04.2026 14:41

Tramp kërkon nga Irani që të japë një përgjigje të unifikuar ndaj propozimeve të Shteteve të Bashkuara për përfundimin e luftës...

Presidenti amerikan, Donald Tramp, kërkon nga Irani që të japë një përgjigje të unifikuar ndaj propozimeve të Shteteve të Bashkuara për përfundimin e luftës, i cili nuk ka vendosur ndonjë “afat të prerë” e as një datë të re për negociata. Armëpushimi i zgjatur për një kohë të pacaktuar pret përgjigje nga Teherani, thonë nga Shtëpia e Bardhë. Kapjen nga Irani e të dy anijeve në Ngushticën e Hormuzit, Uashingtoni nuk e konsideron si shkelje të armëpushimit. 
 
“Presidenti dëshiron një përgjigje të unifikuar. Dhe ndërsa e presim atë, ka armëpushim nga sulmet ushtarake dhe kinetike, ndërsa bllokada efektive dhe e suksesshme detare vazhdon ndaj anijeve dhe mjeteve lundruese që lëvizin drejt dhe nga portet iraniane.”, - deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Livit.
 
Shkelja e obligimeve, të papranueshme për Iranin
 
Irani mbetet i hapur për negociata, por bllokada dhe kërcënimet janë pengesat kryesore për dialog të vërtetë, thekson presidenti Pezeshkian. 
 
“Republika Islamike e Iranit e ka mirëpritur dialogun dhe marrëveshjen dhe vazhdon ta bëjë këtë. Shkelja e obligimeve, bllokadat dhe kërcënimet janë pengesat kryesore për negociata të vërteta. Bota po e sheh retorikën tuaj të pafundme hipokrite dhe kontradiktën mes pretendimeve dhe veprimeve.”.
 
BE-ja e shqetësuar për krizën energjetike
 
Ndërkohë, negociatori kryesor iranian Galibaf deklaroi se Ngushtica e Hormuzit nuk mund të jetë e hapur për shkak të shkeljeve të armëpushimit. Qendrat ndërkombëtare analizojnë krizën energjetike të shkaktuar nga lufta. Brukseli me të dhëna se mund të ketë pasoja afatgjate në çmimet dhe furnizimin me energji.
 
“Kjo nuk është një rritje e vogël dhe afatshkurtër e çmimeve. Kjo është një krizë që ka gjasa të jetë po aq serioze sa krizat e vitit 1973 dhe 2022 së bashku. Kjo do të thotë se përballemi me muaj shumë të vështirë, ose ndoshta edhe vite, në varësi të zhvillimeve në Lindjen e Mesme.”, - theksoi komisioneri i BE-së për Energji dhe Banim, Den Jorgensen.
 
Ndërkohë, gjatë armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit janë raportuar disa viktima, përfshirë edhe një gazetar, në një sulm izraelit në prag të raundit të ri të bisedimeve diplomatike në Uashington.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU