Maqedoni
Shtetësia e dyfishtë, Filipçe: Të vlejë edhe për ekzekutivin
23.04.2026 14:56
Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës janë thelluar për çështjen e shtetësisë së dyfishtë për funksionarët e lartë shtetërorë...

Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës janë thelluar për çështjen e shtetësisë së dyfishtë për funksionarët e lartë shtetërorë. LSDM kërkon që ndalesa për posedimin e shtetësisë së dyfishtë të vlejë menjëherë jo vetëm për deputetët, por edhe për ministrat, zëvendëskryeministrat dhe gjithë përbërjen e Qeverisë. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se me ndryshimet ligjore të propozuara nga grupi parlamentar i partisë së tij, do të përcaktohet qartë se bartësit e funksioneve në Qeveri duhet të kenë vetëm një shtetësi.
“Duhet të ketë vetëm një shtetësi për bartësit e funksioneve në Qeveri dhe ky është propozim-ligji ynë. Përveç kësaj, ne po dorëzojmë amendamente ndaj propozimit që dje e paraqiti VMRO-DPMNE-ja, në të cilin nuk është e qartë nëse ajo që ata kërkojnë do të vlejë edhe për këtë përbërje aktuale parlamentare.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
VMRO: LSDM, e dirigjuar nga forcat bullgare
Nga VMRO-DPMNE reaguan duke e akuzuar LSDM-në për politikë të ndikuar nga jashtë dhe instrumentalizim të temës së shtetësisë. Deputeti Mile Lefkov tha se çështja po përdoret në mënyrë të sinkronizuar me struktura nga Bullgaria.
“Që nga avioni shihet sinkronizimi i temës për shtetësitë mes strukturave nga Bullgaria që e hapin këtë temë, të pakënaqura nga politika e patriotizmit dhe moslëshimit të VMRO-së, ndryshe nga politika nënshtruese e LSDM-së, e cila ngjitet në këtë temë të diktuar nga Bullgaria si miza në mjaltë.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov.
Përndryshe në Kuvend dje u votua nevoja për propozim-ligjin për deputetë, në të cilin parashikohet që deputetët të kenë vetëm shtetësinë e Maqedonisë së Veriut.
ERSAN PAJAZITI
