Maqedoni

Heqja e Qeverisë teknike, Filipçe: Tërhiqeni ose braktisim punimet për kodin

23.04.2026 15:11

Në një atmosferë të tensionuar nisi punimet komisioni për sistem politik në Kuvend....

Në një atmosferë të tensionuar nisi punimet komisioni për sistem politik në Kuvend. Opozita kërkoi tërheqjen e propozim-ligjit për Qeveri, ndërkohë që pati vërejtje për mospërfundimin e aspektit teknik të amendamenteve. Sipas socialdemokratëve, ende nuk janë krijuar kushte në shtet që zgjedhjet të mbahen pa përfshirjen e opozitës në Qeveri. Kryesocialdemokrati Venko Filipçe i prerë, nëse nuk tërhiqet ligji, ata do të braktisin grupet e punës për kodin zgjedhor.
 
“Nëse sot ky ligj kalon në komision dhe pushteti e vazhdon procedurën parlamentare, grupi ynë parlamentar tërhiqet nga grupi i punës për punimet e Kodit Zgjedhor. Qeveria do të duhet të tërheqë këtë ligj për shfuqizimin e Qeverisë së Përzhinës. Sjellje të tilla autokrate nuk lejohen dhe nuk do t’i pranojmë. Qeveria e Përzhinës, e cila është garantuesi i vetëm, në këtë formë me ligjin aktual për zbatimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike, do të duhet të mbetet.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Milloshovski: Kemi sinjal nga BE-ja
 
Për VMRO-DPMNE-në shteti ka marrë sinjale ndërkombëtare se ka pjekurinë që zgjedhjet t’i realizojë pa Qeverinë teknike.
 
“Këtë vit Këshilli i Evropës në Strasburg, pas shumë vitesh mori vendimin që të shfuqizohet post monitorimi për Maqedoninë. Ky është një sinjal evropian për pjekurinë e institucioneve në përmbushjen e kompetencave të tyre në interes të qytetarëve dhe ndërveprimit institucional.”, - theksoi deputeti, Antonio Milloshovski nga VMRO – DPMNE. 
 
Veç kundërshtimeve, debati nisi në mungesë të kushteve, pasi një pjesë e deputeteve ishin të detyruar të qëndronin në këmbë, të cilët më pas braktisën komisionin.
 
“Është turp i madh për këtë Kuvend, ku nuk jeni në gjendje të siguroni hapësirë adekuate që të mbahet kjo seancë dhe nuk është mirë që kolegët tanë të detyrohen të largohen, pasi nuk kanë ku të ulen. Është për keqardhje se si i miratoni këto ligje. I caktoni komisionet pa u dhënë deputetëve kohën e nevojshme që të dorëzojnë amendamente.”, - u shpreh deputetja e Frontit Evropian, Dijana Toska.
 
Zëvendëskryetari i komisionit u arsyetua për kushtet se nuk ka sallë tjetër, pasi të gjitha janë të zëna. Ai me miratimin e rendit të ditës dha pauzë. Për vazhdimin e seancës do të ketë njoftim shtesë.
 
MERAL ISMAILI