Maqedoni
Debat mbikëqyrës, veprime dhe masa ndaj dhunës familjare
23.04.2026 15:38
Komisioni parlamentar për mundësi të barabarta mes grave dhe burrave zhvilloi një debat mbikëqyrës...

Komisioni parlamentar për mundësi të barabarta mes grave dhe burrave zhvilloi një debat mbikëqyrës mbi zbatimin e ligjeve dhe politikave për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, vuri theksin te sfidat institucionale dhe nevoja për rritjen e efikasitetit. U theksua se viktimat më të mëdha të dhunës janë fëmijët, të cilët rriten në frikë dhe shpesh bëhen dëshmitarë të dhunës, duke rrezikuar të përsërisin të njëjtin model sjelljeje në të ardhmen. Pjesëmarrësit kërkuan krijimin e një sistemi që identifikon rreziqet në kohë dhe mbron viktimat pa vonesë.
“Viktimat më të mëdha dhe më të pafajshme janë fëmijët. Fëmijët që rriten në frikë, fëmijët që janë dëshmitarë të dhunës dhe fëmijët, të cilët nëse nuk reagojmë në kohë, mund të riprodhojnë modelin e njëjtë të sjelljes në të kaluarën. Për këtë arsye, kjo nuk është vetëm çështje institucionale, por çështje për të ardhmen e shoqërisë sonë.”, - deklaroi Zhaklina Peshevska nga Komisioni për mundësi të barabarta mes grave dhe burrave.
“Qëllimi ishte të shohim se si në të vërtetë zbatohen ligjet në këtë sferë, nëse kemi kulturë të mosveprimit dhe moskompetencë nga ana e institucioneve apo me të vërtetë ekzistojnë pengesa ligjore të cilat pamundësojnë reagim të shpejtë dhe në kohë në luftën kundër dhunës.”, - theksoi Monika Zajkova nga PLD.
Deputetja Imerlije Saliu vuri në dukje mungesën e kapaciteteve strehuese për viktimat, duke theksuar se qendrat ekzistuese, kryesisht të drejtuara nga OJQ-të, përballen me vështirësi financiare. Sipas saj, mungesa e mbështetjes ekonomike shpesh i detyron viktimat të rikthehen te dhunuesit.
“Siç e dimë, rajoni i Pollogut është një rajon i cili ngërthen 9 komuna, ka mbi 250 mijë banorë dhe nuk ka qendër, e cila financohet nga ana e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, në fakt strehimore për viktimat e dhunës. Fatmirësisht ekziston një strehimore në këtë anë, e cila është e themeluar nga OJQ dhe është në mbështetje financiare nga ana e Ministrisë. Që dy vite sa funksionon kjo qendër, ka strehuar diku mbi 20 viktima të dhunës dhe mbi 40 fëmijë, që nënkupton se rajoni i Pollogut ka nevojë për qendra strehuese dhe kjo nevojë duhet të jetë në rend të parë nga ana e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale.”, - u shpreh deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu.
Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Gjoko Velkovski, njoftoi se është në fazë finale strategjia për parandalimin e dhunës ndaj grave 2026–2033, e cila synon forcimin e përpjekjeve strategjike për eliminimin e dhunës. Ai gjithashtu paralajmëroi ligj të ri për banim, që do t’u mundësojë viktimave strehim deri në stabilizimin ekonomik.
“Përgatitja e Ligjit të ri për banim, që besoj shpejt do t'i kalojë filtrat në Ministri dhe Qeveri, do të vijë në shqyrtim te deputetët që parasheh të kenë mundësi që viktimat e dhunës familjare si kategori e vërtetuar me ligj të mund t'i shfrytëzojnë këto privilegje, gjegjësisht çështjen e banimit ta fitojnë në bazë të ligjit deri sa ekonomikisht nuk stabilizohet viktima.”, - deklaroi zëvendësministri për Punë dhe Politikë Sociale, Gjoko Velkovski.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi se sistemi i shëndetësisë ka rol kyç në detektimin e hershëm dhe sigurimin e mbrojtjes për viktimat e dhunës në familje.
“Është në përgatitje program për forcimin e sistemit shëndetësor për vitin 2027, me një buxhet të paraparë prej 2 milionë denarësh, i cili do të përfshijë parandalimin, shërbime falas për viktimat dhe fushatë për ngritjen e vetëdijes dhe trajnimit për punonjësit shëndetësorë.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Debati nxori në pah nevojën për koordinim më të mirë institucional, rritje të kapaciteteve dhe veprime konkrete për mbrojtjen efektive të viktimave të dhunës në familje.
FLORIJE KAMBERI
