Maqedoni

Shkup, hapet edicioni i 38-të i Panairit të librit

23.04.2026 16:13

Edicioni i 38-të i Panairit të librit hapi sot dyert për lexuesit....

Edicioni i 38-të i Panairit të librit hapi sot dyert për lexuesit. Në arenën sportive “Boris Trajkovski”, stende të shumta librash ofrojnë titujt më të fundit dhe oferta uljesh. Në një kënd të vetëm janë pozicionuar 7 stende, të cilat ofrojnë edhe botime në gjuhën shqipe. Botuesit apelojnë për prani më të madhe të lexuesve në ditët në vijim.
 
“Interesimi është  i mirë, shihet që në mëngjes, shpresojmë dhe bëjmë ftesë që sa më tepër vizitorë të vijnë dhe ta vizitojnë Panairin e librit.  Normalisht që do të kemi edhe zbritje, mirëpo ajo që është risi është që të gjitha botimet, të cilat kanë dal nga janari deri në prill janë për lexuesit në stendën tonë.”, - u shpreh një shitës nga Shtëpia Botuese “Nobel”.
 
“Jemi të rregullt çdo vit dhe vijmë me shumë risi gjatë panaireve, kemi promovim të titujve të ri “Albas”, si për të rritur, si për fëmijë, po ashtu kemi edhe ulje.  Kemi ulje prej 20%, 30%, 40 varet prej titujve te ndryshëm edhe për fëmijë, kemi ulje edhe për të rritur. Ka qarkullim, kemi interesim të shkollave zakonisht, deri më tani patëm shkollat publike që vinin me mësuesit e tyre, por është vetëm fillimi, presim të na vijnë lexuesit dhe vizitorët.”, - u shpreh një shitëse nga Shtëpia Botuese “Albas”.
 
“Botimet tona janë në thelb më filozofik, mbi mendimin islam, kuptohet në fushat e shkencës dhe kulturës, mendoj që kjo është paksa për nivelin më të lartë të lexuesve. Vendi më i volitshëm për lexuesit që të gjejnë librat e preferuar të tyre me çmim të volitshëm, sepse si çdo vit këtu deri në 50% ka lirim të librave, kështu që mendoj se do të jenë më tërheqëse çmimet tona.”, - u shpreh një shitës nga Shtëpia Botuese “Gnosa”.
  
Edhe në panair vihet në pah çmimi më i lartë i botimeve në gjuhën shqipe.  Derisa në gjuhën maqedonase mund të blihet libër edhe me 100 denarë, kostot e librave në gjuhën shqipe edhe për shkak të shpenzimeve të importimit, mbeten më të larta.  
 
“Kjo problematikë nuk është përmirësuar, është e theksuar edhe më tepër për shkak të rritjet së vlerës së lekut, çmimet fatkeqësisht ngelen edhe më të shtrenjta, gjithmonë shkojnë duke u rritur, sepse botimet në gjuhën shqipe 80% vijnë nga Shqipëria dhe kështu çmimet e librave vetëm se rriten.”, - u shpreh një shitës nga Shtëpia Botuese “Nobel”. 
“A tatimohet akoma librit?” 
“Po. Ka tatim.” 
“Sa është tatimi që e paguani?” 
“5% është tatimi i librit, që e rëndon edhe çmimin e librit. Botimet janë nga Shqipëria, ka edhe transport e doganë dhe shpedicion, harxhime të tjera, kështu që libri shqip këtu në Maqedoni është pak vështirë.”, - shtoi shitësi nga Shtëpia Botuese “Nobel”. 
 
“Janë rritur diku pas pandemisë çmimet e librave nga shkaku se janë rritur edhe kostot e botimeve. Ata që bëjnë, blejnë nuk pyesin, por është një shtresë njerëzish që normalisht shkaku i financave të dobëta janë më të ngurtë, pyesin ose hezitojnë që të marrin ndonjë libër.”, - u shpreh një shitëse nga Shtëpia Botuese “Albas”.
 
Panairi i librit do të jetë i hapur deri më datën 29 prill. Bileta për hyrje në panair kushton 100 denarë, ndërsa për grupe të organizuara nxënësish bileta ka vlerën prej 50 denarësh.  
 
ARLINDA BAFTIU