Maqedoni

Hetim për përvetësim në detyrë në FFM

24.04.2026 09:08

I dyshuari ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore prej rreth 660 mijë euro për një person juridik nga Shkupi...

I dyshuari, në periudhën nga nëntor – dhjetor 2024, si person zyrtar, president i FFM-së, ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore prej rreth 660 mijë euro për një person juridik nga Shkupi, përkatësisht një shumë që tejkalon përfitimin e konsiderueshëm pasuror. Dyshimet tregojnë se vepra është kryer në atë mënyrë që FFM-ja, si anëtare e UEFA-s, gjatë vitit 2024 ka marrë mjete financiare të dedikuara rreptësisht për revitalizimin e terreneve sportive dhe infrastrukturës.
 
Me mbështetjen financiare nga UEFA në kuadër të programit “HatTrick VI”, i dyshuari ka filluar procedurën për realizimin e projektit – ndërtimi i një tribune në Stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër dhe ka dhënë propozim për nisjen e procedurës për përzgjedhjen e një kompanie për realizimin e projektit. Pas miratimit nga Bordi drejtues, i dyshuari ka paraqitur kërkesë te tri kompani për oferta për ndërtimin e tribunës së stadiumit. Është përzgjedhur oferta më e favorshme për ndërtim në vlerë totale prej rreth 3,3 milionë euro pa TVSH.
 
Edhe pse kontraktuesi nuk e kishte kërkuar këtë, dhe as në kërkesat për dorëzimin e ofertave nuk ishte paraparë si mundësi, i dyshuari, në kundërshtim me vendimin e Bordit drejtues, ka futur një kusht shtesë në kontratën e lidhur me kompaninë e përzgjedhur, me të cilin ka paraparë pagesë avansi në vlerë prej 20% të shumës totale të kontratës para fillimit të punimeve ndërtimore dhe pa ndonjë veprim paraprak nga ana e kontraktuesit. Me këtë rast nuk ka paraparë asnjë sigurim juridik për mjetet e paguara si avans.
 
Ai e ka nënshkruar këtë kontratë dhe më 17.12.2024, mjetet financiare në vlerë prej rreth 660 mijë euro që i ishin besuar në detyrë, me urdhrin e tij për shërbimet e pagesës i ka transferuar si avans te personi juridik.
 
Duke qenë se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje dhe ekziston frika e arsyeshme se i dyshuari mund ta pengojë hetimin duke ndikuar te dëshmitarët, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit.