Maqedoni

Gashi do ta hapë Konferencën e përfaqësuesve parlamentarë nga vendet e JJI

24.04.2026 11:11

Gashi, sot do të jetë nikoqir i Konferencës së XX të kryetarëve/spikerëve të Iniciativës Adriatiko-Joniane...

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot do të jetë nikoqir i Konferencës së XX të kryetarëve/spikerëve të Iniciativës Adriatiko-Joniane (IAJ), e cila mbahet në kuadër të kryesimit të shtetit tonë me këtë iniciativë.
 
Në takim është paralajmëruar prania e kryetarëve, nënkryetarëve dhe deputetëve nga parlamentet e shteteve anëtare të IAJ – Republika e Maqedonisë së Veriut, Republika e Shqipërisë, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Republika e Greqisë, Mali i Zi, Republika e Italisë, San Marino, Republika e Serbisë dhe Republika e Sllovenisë, si dhe përfaqësues nga Sekretariati i IAJ.
 
Pjesëmarrësit në Konferencë do të fokusohen në dy tema kyçe, të cilave do t’u kushtohen dy sesionet: “Promovimi i paqes dhe stabilitetit përmes diplomacisë parlamentare” dhe “Forcimi i lidhjes rajonale: Korridoret VIII dhe X dhe roli i parlamenteve”.
 
Në Konferencë, përveç kryetarit Gashi, fjalim do të mbajnë edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova; zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski; zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski; Rizvan Sulejmani, profesor i rregullt, ish-ministër dhe ish-deputet; Dragana Bojkovska, deputete, kryetare e Klubit për çështje dhe politika rinore të Kuvendit; Abdulmenaf Bejxheti, akademik, ish-ministër dhe ish-deputet; si dhe Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike.
 
Pritet që Konferenca të përfundojë me miratimin e një Deklarate të përbashkët, në të cilën do të përcaktohen prioritetet e shteteve anëtare të IAJ, e cila do të jetë e disponueshme në faqen e internetit të Kuvendit.